Ndikimi i luftës Izrael-Hamas në zgjedhjet paraprake të demokratëve në Nju Jork

ndikimi i luftes izrael hamas ne zgjedhjet paraprake te demokrateve ne nju jork
ndikimi i luftes izrael hamas ne zgjedhjet paraprake te demokrateve ne nju jork

Mënyra se si do të votojë një zonë në pjesën veriore të qytetit të Nju Jorkut në zgjedhjet paraprake të 25 qershorit, mund të zbulojë se se sa rëndësi po i kushtojnë votuesit amerikanë luftës në Gazë. Ky rezultat mund të jetë shumë i dobishëm për demokratët, që po përpiqen të sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në nëntor.

Një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e kahershëm izraelito-palestinez në Lindjen e Mesme mbështetet nga dy kandidatët demokratë në garën paraprake për distriktin e 16-të të Kongresit në Nju Jork. Por kur bëhet fjalë për luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës, ligjvënësi aktual Jamaal Bowman dhe rivali i tij George Latimer kanë dallime të mëdha.

Ligjvënësi Bowman, një demokrat progresist, këmbëngul për një armëpushim.

“Ne dënojmë sulmet e 7 tetorit, në të cilat u vranë mijëra civilë. Ne e dënojmë atë. Por ne nuk mund ta dënojmë këtë dhe më pas të falim veprimet e mëvonshme në Gazë. Kështu që ne duhet të ngrejmë zërin. Ndëshkimi kolektiv dhe vënia në shënjestër e civilëve nuk mund të konsiderohen vetëmbrojtje”, thotë ai.

Qasja ushtarake e Izraelit mbështetet nga rivali i tij George Latimer.

“Shumica e njerëzve duan të shohin një përfundim të luftimeve, por ata nuk duan që kjo të arrihet pa lirimin e pengjeve nga Hamasi, sepse Hamasi është një organizatë terroriste”, thotë ai.

Këshilltari demokrat Chris Coffey sheh një mundësi për të fituar terren për zotin Latimer, një demokrat i moderuar, në distriktin ku votuesit e lagjeve periferike kanë një prirje të moderuar. “Pra, ka para që po vijnë në distrikt nga grupe pro-izraelite dhe pro-biznesit, që në masë të madhe po mbështesin zotin Latimer”, thotë ai.

Ligjvënësi Bowman tërhoqi vëmendjen e mediave vitin e kaluar kur aktivizoi një alarm zjarri në ndërtesën e Kongresit gjatë një seance të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Është e pazakontë. Por zoti Bowman ka vepruar paksa në mënyrë të çrregullt. Ai ndezi alarmin dhe u censurua për këtë. Ai ka votuar kundër udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në disa raste kundër propozimeve të presidentit”, thotë zoti Coffey.

Partia Demokrate pritet të fitojë sërish zgjedhjet për Kongresin në distriktin e 16-të në Nju Jork. Por preferencat e votuesve në këtë distrikt, mund të ndihmojnë demokratët të identifikojnë mesazhet që i duhen partisë rreth luftës në Gazë dhe të ndihmojë përpjekje e saj për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →