REXHEP POLISI/ Poezia e bukur nga ana estetike, nga struktura e të shkruarit dhe mjetet shprehëse të rrëmben dhe pasi e ke lexuar të bën të ndjehesh mirë, më i lirë dhe më i dashur.
Poezia është liri, është një ndjesi e brendshme, një “vullkan” që kërkon të shpërthejë. Kur autori apo autorja e transmeton këtë, ai që e lexon bëhet më i ndjeshëm ndaj saj, më i dlirë; mbushet me emocion dhe energji pozitive.
Këto ndjesi më krijuan poezitë e librit “Ndjenja të rrëmujshme” të autores Ida Vogli.
Ndonëse një poete e re, poezitë e saj janë të arrira; me një nivel të lartë estetik dhe emocional.
Poezitë e kësaj autoreje sjellin shqetësime jetësore, hapësinore dhe kohore. Në to ka ndjenjë, ka mendim, ka lirizëm dhe epizëm… Në mjaft prej tyre gjen gjuhën e pasur poetike me figura stilistike si metafora, krahasimi dhe simboli, që sjellin prurje poetike. Të gjitha këto komponente në këtë libër shpërfaqin një tërësi poetike të realizuar me mjeshtëri të vargut, me ndjeshmëri të thellë.
Ida shkruan me varg të lirë, por rima e brendshme e bën poezinë të vijë më ëmbël dhe më e kthjellët te lexuesi. Në poezitë e saj është mendimi dhe mbresa jetësore, është mesazhi përmes përjetimit emocional, befasisë dhe gjallërisë së fjalës e të vargut. Këto tipare e dallojnë poezinë e saj nga shumë autorë të tjerë, madje dhe prej atyre që nuk janë më fillestarë në udhën e poezisë. Poezitë e saj të bëjnë për vete, dhe teksa i lexon sikur humbet në një botë tjetër, në një botë ku njeriu gjen të bukurën, emocionin.
Ja si shprehet autorja në poezinë ”Fati im”:
Fati im në sqep të zogut,
Shëtit rrugëve qiellore…
Në këtë vëllim poetik na shfaqet jeta e saj, herë bardhezi dhe herë me ngjyrat e së përditshmes, shfaqet rënia dhe shkëlqimi i jetës njerëzore. Dhimbja në poezitë e këtij libri vjen si art, ndonëse drama që ka pësuar e ka bërë autoren që të shprehë edhe nuanca trishtimi dhe pesimizmi për jetën:
Cili ilaç do më shpëtojë?
Vdekja?!
Se vetë jeta është një dhimbje
Që hap plagë e plagë nuk mbyll…
(“Plagë”)
Kush mban zi për mua?!
Rruga e ngushtë mbrapa shtëpisë
Veç rrënoja ka:
E braktisur, ka dhënë shpirt…
(“E braktisur”)Shqetësimet, dhimbjet, gëzimet vijnë si çlirim shpirtëror për autoren. Sa herë ndjejmë dhembje, apo zhgënjime shpërthejmë në lot?! Në mjaft poezi, në këtë vëllim poetik, loti është çlirim për autoren:
Lotët fytyrën ma lanë,
Zemrën ma zbrazën,
Mbi ndjenjat Sytë m’i shteruan…
(“Loti”)
Libri “Ndjenja të rrëmujshme” shpalos jetën njerëzore ku autorja shpreh dukuri, apo ngjarje, me një gjuhë të fuqishme artistike.
Poezia e saj vjen ndryshe, e veçantë dhe me mesazhe për jetën.
Autorja tregon botën e saj të brendshme, ndjenjat më sublime, të cilat shpalosin dashurinë:
Lindi dielli me shkëlqimin e syve të tu,
Sy që më dehin,
Prekin heshtjen në zhurmë,
Dashuria ime është e shenjtë,
Dhuratë për ty
Në këtë mëngjes të argjendtë…
(“Mirëmëngjes dashuri”)
Poezitë janë shkruar me një frymëzim të thellë. Jo më kot në vargje gjallon jeta me gëzimet dhe zhgënjimet e saj: Për dashurinë vjen Pranvera,/ Dita zgjat këmbët,/ Ecën,/ Nata hap sytë,/ Zgjohet… (“Për dashurinë”)
Edhe dhimbjen tragjike autorja e përshkruan me ndjenjë të fuqishme aq sa edhe lexuesi ai të tillë e përjeton atë; poezi ku dhimbja përshkruhet me fjalët më të bukura të shpirtit.
Vetëm një poete e spikatur mund ta përcjellë kaq bukur dhimbjen njerëzore:
Mbledhur dhimbjet
Njëra pas tjetrës,
Përplasen mes dallgësh.
Lotin tim e shoh çdo natë…
(“Dhembje”)
Përveç elementeve personale, poezitë kanë edhe mesazhe të forta për shoqërinë tonë. Për poeten dashuria është të dish se çfarë mendon tjetri, pa nevojë shpjegimi, të mundohesh të kuptosh dhe atë që nuk të pëlqen.
Ja si shprehet ajo në poezinë “Të kam lexuar”:
Në sytë e tu shkronja gri,
Arrij t’i shikoj,
Sado retë ta mbulojnë qiellin,
Përsëri do të ketë kthjellim.
Larmia e poezisë, metafora e fuqishme, tematika e pafundme, stili i të shkruarit dhe detajet artistike e bëjnë poezinë e saj të jetë organike dhe tepër e sinqertë:
Fati im në sqep të zogut,
Shëtit rrugëve qiellore,
Mes yjesh e rrezesh,
Shirash e ylberesh… (“Fati im”)
Gjithsesi, me gjithë dhembjet dhe brengat, poetja shpreson për një të ardhme dhe jetë më të lumtur: Një shportë me shpresë/ Mbi tavolinë…
(“Shpresë”)
Autorja është përherë në kërkim të dashurisë, në kërkim të lumturisë. Ajo ndalet tek dashuria, jo vetëm si koncept personal, por edhe si koncept universal, prandaj poezia shpërfaq një zë të rëndësishëm në këtë vëllim:
U plagosa, rashë, u zvarrita,
Me gjunjë të vrarë u ngrita…
a… (“Nuk dorëzohem”)
Për dashurinë autorja flet plot ndjenjë dhe me sinqeritet.
Një vend të veçantë në këtë libër ze edhe poezia erotike. Në këto poezi, autorja ka pasqyruar shumë bukur artistikisht dhe me finesë ndjenjën e gjendjen emocionale e shpirtërore. Dashuria pohohet si ndjenjë e dëshiruar dhe si e tillë ka gjetur një realizim mjeshtëror: Lidhem gërshet me trupin tënd/ Gjiri zjarr./ Me gjinjtë e mi luaj,/ Mes shalëve të ngrohta, Më tërbove…/
(“Një natë me ty”)
Poezitë erotike janë trajtuar pa ekzagjerime dhe teprime në strukturën tekstore dhe sensuale, por me një nëntekst poetik të pasur. Detajet dhe figuracioni i pasur bartin mesazhe të hijshme dhe vlera estetike, aq sa këto poezi ke dëshirë t’i lexosh dhe rilexosh.
Poetja i thur himne dashurisë, sublimon lumturinë që fal, jep dehjen e përhershme të pasionit.
/Gazeta Panorama