Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express nuk pohoi ndonjë prej deklaratave që nxori Bislimi, por tha se takimi ishte i rëndësishëm “për të vërtetuar fakte dhe për të sqaruar pyetjet e hapura”.
Ai tha se zgjidhja që po kërkohet në Bruksel për çështjen e dinarit është afatshkurtër.
“Emisari Lajçak ka pritur dje kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Ata gjithashtu diskutuan çështje të tjera në lidhje me dialogun, duke përfshirë gjetjen e zgjidhjeve për qytetarët e prekur nga vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme në vazhdim të takimit teknik të 27 shkurtit. Takimi ishte i rëndësishëm për të vërtetuar fakte dhe për të sqaruar pyetjet e hapura. Palët ranë dakord të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje të hënën e ardhshme, më 25 mars, me qëllim që të diskutohen propozimet konkrete për të gjetur një zgjidhje afatshkurtër të dakorduar”, tha Stano.
Stano pati përgjigje edhe për insistimin e kryeministrit Kurti për të nënshkruar marrëveshjen. Ai tha se këto kërkesa do të duhej të trajtohen në takimin e ardhshëm mes tij dhe presidentit serb Vuçiq.
“Zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe kërkesat për zyrtarizim shtesë, do të duhet të adresohen nga liderët gjatë takimit të ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë”, tha ai.
Së fundi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti hodhi gjithë fajin për moszbatimin e marrëveshjes te Serbia.
“Ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes. Së paku tetë nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, Serbia i ka shkelur. Dhe, kjo ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, e cila tash do të jetë kryetare e Parlamentit të Serbisë, ku ajo thotë se praktikisht tërhiqen nga Marrëveshja Bazike dhe nga aneksi i zbatimit [i arritur] në Ohër. Marrëveshja Bazike është së paku njohje reciproke, de facto. Ndoshta edhe më shumë, por së paku njohje de facto është. Dhe, ata u tërhoqën sepse thanë ‘kurrë s’do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, kurrë s’do ta pranojmë integritetin territorial të Kosovës dhe as ulësen për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’”, tha Kurti.
Duke thënë se Kosova është plotësisht e zotuar për Marrëveshjen Bazike, Kurti tha se ka ofruar disa herë që të nënshkruajë, por që Serbia ka refuzuar.
“Unë kam ofruar pesë herë ta nënshkruaj në takime të ndryshme. Pesë herë jam refuzuar. Ndërkaq, për palën tjetër, unë besoj që vendosin Brukseli dhe Uashingtoni. A e kanë ndërmend ta sanksionojnë për sulmet terroriste dhe kriminale në Kosovë, në njërën anë dhe për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes, në anën tjetër?”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co