“Në Itali bëhet dramë nëse humbasim një ndeshje”, Kanavaro për duelin me Shqipërinë dhe Europianin: Tani nuk kemi ndonjë skandal

ne itali behet drame nese humbasim nje ndeshje kanavaro per duelin me shqiperine dhe europianin tani nuk kemi ndonje skandal
ne itali behet drame nese humbasim nje ndeshje kanavaro per duelin me shqiperine dhe europianin tani nuk kemi ndonje skandal

Një legjendë si Fabio Kanavaro nuk mund të gjendet aq shpesh në Tiranë. Kampioni i Botës me Italinë ka qenë prezent në FSHF, ku ka mbajtur një leksion të hapur për kursantët e “UEFA Pro”.

Pas seminarit, fituesi i “Topit të Artë” u ndal edhe te mediat e pranishme për të folur në lidhje me Kombëtaren italiane, por edhe atë shqiptare, përballjen mes tyre, Europianin dhe mundësinë për të trajnuar një ditë edhe në Shqipëri.

Sigurisht ne jemi të interesuar për finalet e Europianit, luajmë ndaj Italisë edhe pse nuk është herë e parë, megjithatë është hera e parë në këtë fazë, si e shihni këtë ndeshje?
Mendoj se gjithmonë ndeshja e parë e Botërorit apo Europianit është ajo më e komplikuara. Sepse vjen nga një periudhë pune dhe skuadrat nuk janë siç kanë qenë. Sigurisht të luajmë kundër Shqipërisë nuk është e lehtë, sepse keni një skuadër të fortë, të re, me një trajner të përgatitur dhe patjetër që për Italinë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

Mund të themi se do të jetë një ndeshje jetike për Italinë pasi hap mundësi të reja, në varësi edhe të rezultatit?
Është normale. Mendoj se ndeshjet duhet të fitohen. Por, në të njëjtën kohë duhet ta demonstrosh në fushë. Kanë një trajner të ri, janë lojtarë me eksperienca të ndryshme. Spaleti po ashtu është një trajner që ka shumë eksperiencë edhe në futbollin ndërkombëtar. Ndeshja e parë është ajo më e vështira. Në Itali nëse humbet një, bëhet dramë.

Në Shqipëri ka një opinion se mund t’i japim një dorë Italisë, në raport me rivalët e tjerë, keni dëgjuar diçka nga miqtë që keni këtu?
Nuk është e nevojshme për miq sepse mjafton të shohësh ndeshjet kualifikuese që ka bërë Shqipëria. Nuk bëhet fjalë për frikë këtu, është çështje respekti sepse e dimë se keni lojtarë të mirë, të gjithë luajnë jashtë vendit, kanë eksperiencë ndërkombëtare, shumë luajnë në kampionatin tonë. Në fazën finale të një turneu të tillë nuk të bën askush dhurata.

Vërtet mendoni se Shqipëria ka ndonjë mundësi për të mposhtur Italinë?
Nuk është se në fushë luan historia, por luajnë futbollistët që janë shumë të përgatitur. Nuk ka asnjë skuadër në botë që nuk është e përgatitur dhe kështu pse ta nënvlerësojmë Shqipërinë.

Italia është kampione në fuqi e Europianit, por ka munguar dy herë në Botëror…
Nuk shkojmë në Botëror për shumë vite, por le të shohim momentin pozitiv. Por, kemi gjithmonë futbollistë që mund të zgjidhin ndeshjet.

Do të pëlqente të drejtoje një skuadër këtu në Shqipëri?
Mua më pëlqen të bëj trajnerin. Më pëlqen që të drejtoj një skuadër dhe mendoj se ideja është për një ekip në Itali. Të provoj aty një eksperiencë pas asaj në Lindjen e Mesme dhe në Kinë. Eksperienca e parë në Itali nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme sepse janë shumë arsye. Për këtë dua ta provoj sërish në Itali sepse dua që të stërvis. Më pëlqen dhe më jep një kënaqësi të madhe, vijoj të studioj dhe pres.

Jeni gati për një stol të rëndësishëm në Serinë A?
Nuk e di, e madhe, e vogël. Në Itali është një koncept disi ndryshe. E rëndësishme është që një trajner duhet të qëndrojë në stol. Mund të jetë në Serinë A, në Kinë, apo këtu në Shqipëri apo Arabi, e rëndësishme për një trajner është që të jetë në fushë dhe të ketë mundësinë për të ndarë idetë e tij me lojtarët.

E kujtoni shpesh atë kundërsulm të famshëm kundër Gjermanisë në 2006?
Po, shumë, sa herë që e shoh më emocionon.

Rikthehemi edhe njëherë tek Europiani, eksperienca thotë se Italia kur vihet me shpatulla pas murit, bën gjëra të mëdha, si e shihni këtë herë?
Tani nuk jemi me shpatulla pas murit, nuk ka ndonjë skandal (qesh). Jemi një skuadër që ka bërë ndryshime brezash dhe ka nxjerrë jashtë futbollistë të rëndësishëm, por nëse investohet më shumë në sektorin e të rinjve apo në infrastrukturë dhe nëse bëjmë më shumë përpjekje se sa në të kaluarën. Jemi Italia dhe kemi stimuj të mëdha dhe të luash kundër nesh nuk ka qenë asnjëherë e lehtë.

Keni luajtur me Napolin, Juventusin, cila është skuadra juaj e zemrës?
Unë jam lindur dhe jetoj në Napoli. Është skuadra që kam pasur gjithmonë, por kam pasur edhe fatin që të luaj edhe për klube të rëndësishme si Inter, Parma, Juventus, Real Madrid. Janë të gjitha skuadra të rëndësishme. Më pëlqen t’i ndjek gjithmonë sepse kam lënë kujtime të bukura.

Ka një futbollist shqiptar i cili të ka pëlqyer?
Kam pasur Veselin i cili ka luajtur për mua te Benevento. Është një djalë serioz. Nga kjo Kombëtare janë shumë që luajnë në Itali. Keni dy qendërmbrojtës shumë të mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →