“Sonte, për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 10 qershor të vitit 1999.
Atë natë, NATO-ja ndërpreu bombardimet kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi.
Fushata e sulmeve, që zgjati 11 javë, u ndërmor për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Kërkesat e një komuniteti ndërkombëtar – të indinjuar dhe të bashkuar – janë përmbushur”, tha Clinton, duke sqaruar se ato përfshinin: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre.
“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”, tha Clinton 25 vjet më parë.
Pse ndërhyri NATO-ja?
NATO-ja autorizoi sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake serbe më 24 mars, 1999.
Clinton tha atëkohë se “forca është e nevojshme për të ndalur agresionin e serbëve kundër shqiptarëve në Kosovë”.
“Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, tha Clinton.
Përpjekjet disamuajshe të të dërguarit të Clintonit, Richard Holbrooke, për ta bindur Millosheviqin që të pajtohej për arëmpushim në Kosovë, dështuan.
Dhe, sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, autorizoi sulmet ajrore.
“Ne duhet ta ndalojmë një regjim autoritar që shtyp popullin e tij në Evropë, në fund të shekullit 20”, tha Solana.
“E kemi detyrë morale ta bëjmë këtë. Përgjegjësia është mbi supet tona dhe ne do ta përmbushim atë”, tha ai.
Si u zhvillua fushata e bombardimeve?
Bombardimet ishin operacioni i dytë i madh luftarak i NATO-s, pas sulmeve të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.
Megjithatë, ishte hera e parë që NATO-ja – në historinë e saj të atëhershme 50-vjeçare – përdori forcën ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Fushata përfshiu rreth 1.000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt.
Avionët kryen mbi 38.000 fluturime – prej të cilave 10.484 fluturime sulmuese – pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.
“Përzgjedhja e shënjestrave u rishikua nga nivele të shumta komandimi, për të siguruar se është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, se është e justifikuar ushtarakisht dhe se rrezikon minimalisht jetën dhe pronat e civilëve”, tha NATO-ja.
Gjatë fushatës ajrore, shkatërrime ose dëme të rënda pësuan kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, ashtu si edhe sisteme të komandës dhe kontrollit, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastruktura të energjisë dhe komunikimit etj.
Kur përfunduan bombardimet?
NATO-ja i ndërpreu sulmet pas 78 ditësh – përkatësisht më 10 qershor, 1999 – apo një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.
Fundin e sulmeve e shpalli Solana, i cili tha se të gjitha palët në konflikt, duhet ta shfrytëzojnë atë për të ndërtuar paqe të qëndrueshme.
“Unë e mora këtë vendim pas konsultimeve me Këshillin e Atlantikut të Veriut, si dhe pas konfirmimit të komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, se tërheqja e plotë e forcave të sigurisë jugosllave nga Kosova ka filluar”, tha Solana.
Beogradi kishte 11 ditë kohë për t’i zhvendosur 40.000 forcat e tij të sigurisë jashtë Kosovës.
KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.500.
Detyra më e madhe me të cilën u përball, ishte rindërtimi i Kosovës.
Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.
“Në Kosovë, ne kemi bërë gjënë e duhur. E kemi bërë në mënyrën e duhur. Dhe, ne do ta përfundojmë punën”, tha Clinton natën e 10 qershorit, 1999./REL
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co