Zëvendës Menaxheri i Reagimit ndaj Incidenteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Liban, Ian Clarke tha se 65 punonjës të shëndetësisë u vranë në 16 sulme ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor në Liban, ku Izraeli vazhdon sulmet nga ajri dhe toka që nga 17 shtatori, transmeton Anadolu.
Në konferencën për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, Clarke tha se janë thellësisht të shqetësuar për ndikimin e dhunës në rritje kundër sistemit shëndetësor në Liban. “Që nga 17 shtatori e deri më tani kundër sistemit të kujdesit shëndetësor në Liban janë regjistruar 16 sulme. Këto sulme rezultuan në vdekjen e 65 personave nga personeli i kujdesit shëndetësor dhe me plagosjen e 40 të tjerëve”, theksoi ai.
Sipas tij, 96 qendra shëndetësore u mbyllën për shkak të sulmeve në rritje në jug të Libanit ndërsa 5 spitale mbetën jofunksionale për shkak të dëmtimit fizik ose infrastrukturor.
“Katër spitale në rajon u evakuuan pjesërisht. Megjithëse me kapacitet shumë të kufizuar, shërbimet e urgjencës po vazhdojnë. Pacientët, përfshirë pacientët me dializë dhe kancer ishte e nevojshme të transferoheshin në spitale të tjera”, tha Clarke.
Ai më tej potencoi se numri i të zhvendosurve në Liban po rritet me shpejtësi dhe se këta njerëz janë në rrezik të sëmundjeve epidemike.
Pasi kujtoi se sistemi shëndetësor i Libanit është prekur prej vitesh nga paqëndrueshmëria ekonomike dhe politike, Clarke tha se të gjitha këto ngjarje kanë thelluar problemet lidhur me shëndetësinë.
“Pavarësisht vështirësive të përjetuara, OBSH-ja ka vepruar në koordinim me Ministrinë libaneze të Shëndetësisë dhe i ka mbështetur ato”, thotë Clarke.
Në sulmet e Izraelit në Liban janë vrarë mbi 2 mijë persona
Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hazbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co