Mbrojtësi i Çekisë, Tomash Holesh, parashikon një atmosferë të zjarrtë në “Air Albania” gjatë ndeshjes mes dy skuadrave këtë të shtunë në Ligën e Kombeve. Futbollisti 31-vjeçar, ka deklaruar nga grumbullimi i përfaqësueses së tij, se ndeshja në Tiranë do të jetë shumë më ndryshe nga ajo në Pragë të cilën çekët e dominuan plotësisht.
Çekët vijën në Tiranë të ndërgjegjshëm se edhe barazimi u bën punë në një grup ku ata mbajnë vendin e parë, me një pikë më shumë se kuqezinjtë dhe Gjeorgjia.
“Ne po shkojmë në Shqipëri, do të ishte e shkëlqyer nëse fitojmë atje por edhe një rezultat tjetër është i mirë për ne. Gjithçka është në duart tona dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha sot futbollisti nga grumbullimi i përfaqësueses.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje e ndryshme nga ajo që luajtëm këtu me ta në Pragë, Vitin e kaluar kuptuam se në fushën e tyre ka një ambient ferri, ishte në të vërtetë një atmosfere e shkëlqyer. Avantazhi këtë radhë është se ne e dimë se çfarë po shkojmë të bëjmë. Ndaj është e nevojshme të përshtatemi. Por padyshim do të jetë një ndeshje më e vështirë se ajo që kemi luajtur këtu”, tha Holesh.
PANORAMASPORT.AL