Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmi raketor i Iranit kundër Izraelit dështoi dhe u zotua për hakmarrje.
“Irani bëri një gabim të madh dhe do të paguajë për të”, tha Netanyahu në një takim të kabinetit të tij.
“Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë. Ne do t’i qëndrojmë rregullit që kemi vendosur: këdo që na sulmon, do ta sulmojmë”, shtoi ai.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se sulmi të martën ishte hakmarrje për agresionin e Izraelit kundër aleatëve të tij në Liban dhe në Gazë.
Ai tha se çdo hakmarrje do të përballej me “shkatërrim të madh”. Sipas ushtrisë izraelite, Irani gjuajti më shumë se 180 raketa balistike në drejtim të Izraelit.
Një zyrtar izraelit i sigurisë tha se shumica e tyre janë kapur nga Forca Ajrore e Izraelit, në bashkëpunim me Komandën Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA-së. SHBA-ja konfirmoi se “ka kapur disa raketa” të hedhura nga Irani drejt Izraelit.
Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përsëritën thirrjet për armëpushim. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet sot për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co