VOLTIZA DURO/ Qeveria ka miratuar kriteret dhe procedurat për përfitimin e lehtësirave nga subjektet që kryejnë aktivitet nëpërmjet partneritetit me shoqërinë shtetërore të prodhimit, demilitarizimit dhe tregtimit të armëve, pajisjeve dhe teknologjisë ushtarake.
Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë kriteret që duhet të plotësojnë subjektet aplikuese pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, dokumentacionin dhe procedurat për të përfituar lehtësirat të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve të përgjithshme për të cilat kryhet vlerësimi i aplikimit nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes dhe procedurat e kryerjes së këtij vlerësimi; dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet aplikuese për përfitim të lehtësirave të parashikuara në pikën 2, të nenit 26, të ligjit nr.87/2024. Sipas vendimit, çdo subjekt aplikues, i interesuar për të përfituar lehtësitë, paraqet pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes kërkesën, sipas formularit standard të aplikimit të plotësuar dhe i firmosur nga përfaqësuesi ligjor i subjektit aplikues.
“Aplikimi dorëzohet së bashku me dokumentacionin shoqërues, si më poshtë vijon: Kopjen e certifikatës së regjistrimit të subjektit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ekstraktin historik të biznesit dhe ekstraktin për të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Dokumentacionin provues për miratimin nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë shtetërore ‘Kayo’, sh.a., për bashkëpunimin me personin juridik privat. Relacionin shpjegues për partneritetin me shoqërinë ‘Kayo’, sh.a., formën e bashkëpunimit, përshkrimin e aktiviteteve që do të realizohen, mundësitë e punësimit, përfshirjen e teknologjive, ndikimin mjedisor, analizën e impaktit ekonomik, social, mundësitë e përfitimit publik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kopjen e plotë të planit të biznesit afatshkurtër 3-vjeçar. Pasqyrën financiare të audituar për të paktën 3 vitet e fundit në vendet e origjinës së subjekteve aplikuese ose, në rast të subjekteve të reja, deklaratën financiare të audituesit të miratuar. Dokumentacionin financiar, që provon kapacitetet financiare për kryerjen e aktiviteteve në industrinë ushtarake. Dokumentacionin që përshkruan nevojat për infrastrukturë ndihmëse”, thuhet në vendim.
Ndër dokumentet e tjera që përfshihen në aplikim janë: lista e punonjësve të planifikuar për punësim dhe programin e trajnimit për kualifikimin e tyre. Dokumentacioni që provon se subjekti nuk është në procedurë falimentimi ose likuidimi dhe se kapitalet dhe asetet nuk janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm. Vërtetimi se subjekti aplikues nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale. Vërtetimi që subjekti i ka përmbushur të gjitha detyrimet në lidhje me pagesat e taksave, tatimeve, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Vërtetimi i gjendjes gjyqësore ose një dokument të lëshuar nga një autoritet tjetër kompetent, që vërteton se personat që janë anëtarë të një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksionar/ortak ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse apo kontrolluese brenda tij, të mos jenë të dënuar si dhe autorizimin me shkrim të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes për të kryer verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura me aplikimin për përfitimin nga lehtësirat.
Komiteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë, pas shqyrtimit të raportit të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, merr vendim në lidhje me miratimin apo refuzimin e lehtësirave për të cilat ka aplikuar subjekti, brenda një afati prej 30 ditësh pune nga data e dorëzimit të propozimit nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
DOKUMENTACIONI SHOQËRUES PËR APLIKIM
- Kopjen e certifikatës së regjistrimit të subjektit në QKB.
- Ekstraktin historik të biznesit dhe ekstraktin për të dhënat e regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.
- Dokumentacionin provues për miratimin nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë shtetërore “Kayo”, sh.a., për bashkëpunimin me personin juridik privat.
- Relacionin shpjegues për partneritetin me shoqërinë “Kayo”, sh.a..
- Kopjen e plotë të planit të biznesit afatshkurtër 3-vjeçar.
- Pasqyrën financiare të audituar për të paktën 3 vitet e fundit në vendet e origjinës së subjekteve aplikuese ose, në rast të subjekteve të reja, deklaratën financiare të audituesit të miratuar.
- Dokumentacionin financiar, që provon kapacitetet financiare për kryerjen e aktiviteteve në industrinë ushtarake.
- Dokumentacionin që përshkruan nevojat për infrastrukturë ndihmëse.
- Listën e punonjësve të planifikuar për punësim dhe programin e trajnimit për kualifikimin e tyre.
- Dokumentacionin që provon se subjekti nuk është në procedurë falimentimi ose likuidimi dhe se kapitalet dhe asetet nuk janë objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.
- Vërtetimin se subjekti aplikues nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale.
- Vërtetimin që subjekti i ka përmbushur të gjitha detyrimet në lidhje me pagesat e taksave, tatimeve, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
- Vërtetimin e gjendjes gjyqësore.
- Autorizimin me shkrim të Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes për të kryer verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura me aplikimin për përfitimin nga lehtësirat.
/Gazeta Panorama