Nga “Lamtumirë armë” te “Plaku e deti”, guximi njerëzor i Ernest Heminguejt! Pse u quajt shkrimtari i brezit të humbur

nga lamtumire arme te plaku e deti guximi njerezor i ernest heminguejt pse u quajt shkrimtari i brezit te humbur





































Plaku e detiSEJDO HARKA

“Arti është një gënjeshtër, që na bën të kuptojmë të vërtetën”- PABLO PIKASO

Nobelisti Ernest Heminguej, ky “shkrimtar i madh i guximit njerëzor”, siç e ka vlerësuar kritika letrare globale, ka qenë dhe mbetet një gur i rëndë, jo vetëm për artin dhe letërsinë amerikane, por edhe për atë botërore. Me bëmat dhe krijimtarinë e tij shumplanëshe, edhe pse është quajtur “shkrimtar i brezit të humbur”, në të vërtetë, edhe sot e kësaj dite, konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë klasike amerikane të shekullit XX, me prirje moderne.

KUSH ËSHTË ERNEST HEMINGUEJ

Ai lindi më 21 korrik të vitit 1899 në një familje intelektuale e të respektuar, në Oak Park të Çikagos, në Ilinois, SHBA. Babai i tij, Clarence ishte një mësues i njohur, ndërsa e ëma, Grace Hall, muzikante e talentuar. Nga i ati, përveç të tjerave, ai mësoi dhe artin e gjuetarit e të peshkatarit, si dhe pasionin për ndërtimin e kampeve në pyjet dhe liqenet e rralla përreth vendlindjes. I apasionuar pas veprimtarive sportive, ai në moshën 14-17-vjeçare u mor me boks dhe futboll. Që në moshën 16-vjeçare nisi të shfaqë pasionin dhe prirjen për gazetarinë, e cila më vonë do ta ndihmonte atë të ngjitej në majat e letërsisë amerikane. Në moshën 18-19- vjeçare, nëpërmjet Kryqit të Kuq, iu bashkua Frontit Italian, në Luftën e Parë Botërore, ku shërbeu edhe si shofer ambulance. Si rezultat i një shpërthimi, Heminguej u plagos rëndë dhe u kthye në shtëpi.

Gjithnjë në shërbim të Kryqit të Kuq, ai ndihmoi për sigurimin e ushtarëve italianë. Për këtë ndihmë ai u nderua me “Croce al Merito di Guerra”. Në vitet 1921-1923 bën jetën boheme të Parisit dhe lidhet ngushtë me shkrimtarë e artistë të shquar, si: Sheruod Anderson, Ezra Paund dhe Gerturde Stein. Në vitin 1933, si rezultat i rrëzimit aksidental të avionit, me të cilin udhëtonte për në Afrikën Lindore, plagoset rëndë. Në vitin 1934 bleu një anije me të cilën nis udhëtimin drejt Karaibeve. Pasi kishte krijuar njëfarë përvoje në fushën e gazetarisë, në vitin 1937, dërgohet nga Aleanca e Gazetarëve të Amerikës, për të raportuar nga fronti për Luftën e Spanjës. Mori pjesë në betejën e famshme të Ebros dhe ishte ndër gazetarët e fundit që u largua nga fronti i kësaj lufte të përgjakshme. Gjatë jetës së tij, ai jetoi në vende të ndryshme, si: në Florida, Kubë, Itali, Francë dhe në Idaho në fund, ku më 2 korrik të vitit 1961 vrau veten, duke pasuar fatin e hidhur të atit të tij.

Krijimtaria e tij artistike është, sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Ai, sa ishte gjallë, shkroi dhe botoi 7 romane dhe 16 koleksione me histori të shkurtra. Ndërsa pas vdekjes së tij janë botuar edhe 3 romane dhe 4 koleksione historike të tjera, që autori i pati lënë dorëshkrim. Vepra e tij e parë artistike është “Edhe dielli ngrihet” (1926). Pastaj ka vijuar me romanet “Lamtumirë armë” (1929), “Parajsa e humbur”, “Për kë bien këmbanat”, “Dhjetë indianë”, “Dëbora e Kilimanxharos”, “Plaku dhe deti” (1953) etj.

Proza e tij e gjatë shquhet për thjeshtësinë dhe dialogun e gjallë. Personazhet e veprave të tij janë njerëz dinjitozë e krenarë, përballë vështirësive dhe pengesave. Deri në vitin 1960, veprat e Heminguejt nuk kishin qarkulluar në botën e letrave shqipe. Kjo kishte ndodhur për shkaqe ideologjike, sepse në një enciklopedi ruse të viteve pesëdhjetë theksohej se vepra e Heminguejt paraqiste fatin e “brezit të humbur”, të gjymtuar nga Lufta e Parë Botërore dhe se përshkohej nga pesimizmi i thellë dhe parandjenja e murtajës së shoqërisë borgjeze. U desh puhiza e ngrohtë liberale, që nisi të frynte edhe në artin e letërsinë shqipe mes viteve 1961-1965, që Heminguej, ky kolos i letërsisë amerikane të fliste shqip, përmes përkthimeve brilante të Ismail Kadaresë dhe Vedat Kokonës.

Për krijimtarinë e tij të gjerë dhe cilësore, Ernest Heminguej u nderua me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, ai që i dha lavdinë e duhur, ishte çmimi “Nobel” për letërsinë, me motivacionin “…Për zotërimin e artit narrativ, të dëshmuar veçanërisht në tregimin “Plaku dhe deti”, si dhe për ndikimin e madh që ai pati në letërsinë bashkëkohore botërore.”

Ja çfarë tha ai, midis të tjerash, në fjalën që mbajti në banketin e organizuar me rastin e dorëzimit të çmimit “Nobel” në bashkinë e Stokholmit, më 10 dhjetor 1954: “Për një shkrimtar të vërtetë, çdo libër duhet të jetë një fillim i ri për diçka që nuk është bërë kurrë, ajo që të tjerët e kanë provuar, por kanë dështuar. Pastaj ai, me një fat të madh, do ta arrijë.” Nga që Heminguej, për arsye shëndetësore, nuk ishte i pranishëm në këtë banket, fjalën e tij e lexoi ambasadori amerikan i asaj kohe në Suedi.

Anëtari i Akademisë Suedeze H.S.Nyberg, në këtë banket, mes të tjerash tha: “Duam ta përgëzojmë E. Heminguejn për syrin shqiponjë, me të cilin ai ka shikuar dhe për saktësinë me të cilën ai ka interpretuar ekzistencën njerëzore në kohët tona të turbullta”. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Akademisë së Shkencave Suedeze Andres Österling, duke e quajtur Heminguejn “shkrimtar të guximit njerëzor”, mes të tjerash thekson: “Nuk është ekzagjerim t’i themi Ernest Heminguejt se më shumë se çdo koleg tjetër amerikan na bën të ndihemi sikur jemi ballafaquar me një komb akoma të ri, që kërkon dhe gjen formën e duhur të shprehjes.”Heminguej, kur Spanja u kthye në vatër lufte, aty gjeti frymëzimin më të madh për të shkruar romanin e dytë, me titullin kuptimplotë “Për kë bien kambanat”, në të cilin një luftëtar amerikan lufton për dinjitetin njerëzor. Ky është romani ku shprehen më qartë ndjenjat personale të shkrimtarit të guximit njerëzor, Ernest Heminguej.

-”PLAKU DHE DETI” DHE QËNDRESA STOIKE E SANTIAGOS PARA VDEKJES

Kryevepra e tij është tregimi i gjatë “Plaku dhe deti”, të cilin e kemi bërë objekt kryesor të këtyre shënimeve të shkurtra. Ky është një tregim i paharrueshëm për dyluftimin e një peshkatari plak kuban me një peshk të madh në Atlantik. Tregimi shquhet për një narracion sportiv, brenda të cilit gjallon perspektiva tronditëse e fatit të njeriut. Aty u shpreh më shumë se kudo teoria e ajsbergut, e cila e mori këtë emër nga vetë Heminguej. Tregimi i dedikohet shpirtit luftarak, që nuk jepet, edhe në qoftë se përfitimi material është baras me zero, një përkushtim për fitoren morale mbi disfatën. Drama e plakut Santiago shfaqet përpara syve tanë nga çasti në çast. Por nga brendia e librit del qartë mesazhi sublim, me vlera universale, se njeriu nuk ka lindur për të dështuar. Një njeri mund të shkatërrohet, por jo të mposhtet.

Një nga temat qendrore të krijimtarisë së Heminguejt është guximi për ta vënë heroin kryesor para një sprove të fortë, pa mohuar çastet madhështore dhe bujare, edhe pse luftën e koncepton si një fat tragjik, që sjell një efekt vendimtar për brezin e tij të humbur. Shpesh, Heminguej parapëlqen që reflektimin psikologjik dhe shpirtëror t’ua lërë lexuesve. Kjo është arsyeja që lexuesi, sapo mbaron së lexuari këtë tregim ndien ngrohtësinë e brendisë së sentencës popullore: “Një njeri mund të shkatërrohet, por jo të thyhet e gjunjëzohet.” Për Heminguejn, njeriu, edhe kur e kupton se i duhet të kapërcejë të zakonshmen, se me vendosmërinë e tij po shkel përtej caqeve të saj, bile në fushën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka pse të tërhiqet pa e provuar atë. Për të është më mirë të kthehesh i mundur, pasi e ke provuar ndeshjen, pasi ke treguar, se ke guxim ta bësh, se sa të dështosh pa e provuar atë. Plaku i detit, me veprimin e tij të guximshëm, ka treguar se bën atë që nuk e ka bërë tjetërkush. Për të nuk ka rëndësi se në vend të peshkut sjell skeletin pa mish, rëndësi ka që solli me vete guximin dhe vendosmërinë për të mbijetuar, e triumfuar përballë së keqes. Ky është një triumf në kufijtë e të pamundurës, nga e cila plaku Santiago kthehet fitimtar në kufijtë midis jetës dhe vdekjes. Me stoicizmin e tij karizmatik Heminguej, për të treguar se ç’është i zoti të bëjë njeriu dhe sa mund të durojë, shkon tepër larg. Filozofia e qëndresës së tij është, se njeriun mund ta asgjësosh, por jo ta mundësh.

Libri “Plaku dhe deti” vjen si një përkthim origjinal nga një shqipërues brilant, siç është shkrimtari Ismail Kadare, i cili mjeshtërinë dhe thesarin e gjuhës shqipe na e sjell të gjallë. Ribotimi i këtij libri pas shumë dekadash është rikthim tek shkrimtari, që i këndoi njeriut të stërmunduar.

“Ta konceptosh tregimin e Heminguejt si vepër që trajton temën e luftës së njeriut me natyrën”, thekson Xhevat Lloshi në parathënien e këtij libri, “është një lloj si të mendosh se Migjeni e paskësh shkruar skicën “Bukuria që vret”, për të treguar se shkaktare e mjerimit shqiptar është dëbora. Në të vërtetë kjo është një vepër artistike, që tregon dinjitetin dhe forcën e shpirtit të njeriut. Përmes simbolikës artistike, Heminguej na tregon se deri ku mund të shkojë guximi, qëndresa dhe vendosmëria e njeriut për të përballuar vështirësitë dhe fatkeqësitë e jetës.”

Protagonisti kryesor i tregimit “Plaku dhe deti” është peshkatari Santiago. Ai ishte një peshkatar i zoti, që gjuante peshk gati çdo ditë mbi Gulf Stream. Por, për çudi kishte 4 ditë që nuk kapte asnjë peshk. Me të, për ta ndihmuar, nisi të shkonte edhe një djalë. Edhe pse plaku bashkë me të vazhdonte të peshkonte pa u ndalur, ai për 40 ditë me radhë nuk kapi asnjë peshk. Kur u hap fjala se plakut Santiago nuk po i ecte më fati, prindërit e detyruan djalin e tyre të largohej nga plaku fatkeq, për të gjuajtur me barkën e tij. Djali, si për çudi, sapo u nda nga plaku, që ditën e parë kapi 3 peshq. Por, edhe pse u nda, djali, ngaqë i vinte keq për këtë plak të mirë e peshkatar të zot, shkonte ta ndihmonte çdo ditë.

Pëlhura e arnuar e barkës së plakut Santiago i ngjante një flamuri disfate. Ai ishte një plak thatanik e i rraskapitur. Brazdat e tij të thella në fytyrë tregonin një brengë të madhe. Fytyrën ia mbulonin disa njolla të errëta kanceroze të shkaktuara nga dielli tropikal. Ndërsa duart i kishte të mbuluara me një mori plagësh të dhimbshme. “Çdo gjë e kishte të vjetër, përveç syve të kaltër, që tregonin forcë dhe dëshirë për jetën”. Edhe pse disa peshkatarë nisën të talleshin me disfatat dhe durimin e çuditshëm të plakut, ai nuk gjunjëzohej kurrë. Santiagoja kishte një shpirt sa të guximshëm, aq dhe të thjeshtë, sa edhe vetë s’e kishte kuptuar. Edhe këmishën e kishte të arnuar si kuvertën e barkës, por shpirtin e kishte të fortë dhe sfidues ndaj vështirësive dhe disfatës. I drobitur nga lodhja dhe disfatat, atë e zinte gjumi duke parë në ëndërr Afrikën e djalërisë së tij dhe plazhet e saj të arta. Në ato ëndrra ai nuk shihte as ngjarje të mëdha, as peshq të mëdhenj dhe as gara mundjesh. Bile as gruan e tij. Shihte vetëm peshq, që s’i kapte dot. Pasi zgjohej i llahtarisur, i trishtuar thoshte: “Unë nuk kam fat.” Por, pasi e merrte veten, vazhdonte plot optimizëm: “Ku ta dish, mbase do të kem fat sot. Më duhet që, kur të më trokasë fati, të jem gati për ta shfrytëzuar atë”.

Në tregimin “Plaku dhe deti”, një vend të dukshëm zë peizazhi. Ja si e përshkruan Heminguej bregun e detit, ku plaku gjuante peshk: “Retë mbi kokë u ngjanin vargmaleve dhe bregu dukej vetëm si një vijë e gjelbër në fundajën e kodrinave të kaltra dhe ngjyrë hiri. Ujët kishte marrë ngjyrën blu të thellë, aq të thellë, sa dukej pothuaj si në vjollcë. Ndërsa i mbante sytë poshtë, plaku vështronte vezullimet e kuqërremta në ujët e errët dhe ndriçimin e çuditshëm që i jepte dielli”. Kur plaku zhytej në punën e tij të mundimshme, i thoshte vetes: “Është koha të mendoj vetëm për një gjë. Për çfarë kam lindur në këtë botë” . Ai lumturohej kur shihte peshqit, që i afroheshin grepit dhe dëshpërohej thellë kur ai dilte bosh. E megjithatë, kurrë nuk gjunjëzohej.

Erdhi një çast, kur grepat e tij kapën një peshk të jashtëzakonshëm. Ai ishte një peshk i madh që po e tërhiqte drejt lindjes. Stërmundimi ishte i tmerrshëm. “Edhe unë s’kam ç’i bëj atij, por edhe ai s’ka ç’më bën mua”,-thotë me vete plaku. “Askush nuk duhet të mbetet i mbyllur në pleqërinë e tij. Ai ishte një peshk i mençur dhe i fortë që kishte kafshuar karremin, të cilin tërhiqte si burrë dhe luftonte pa frikë si unë”,-thotë Santiagoja. Por, më në fund e kërcënon atë: “Nuk të ndahem sa të jem gjallë. Të dua dhe të nderoj shumë, por do të të vras për vdekje para se të ngryset kjo ditë”. Krahu i mpirë nuk po i bindej, prandaj nisi t’i lutej Perëndisë: “O zonjë e virgjër, lutu që peshku të vdesë!”. Plakut i vinte keq për peshkun, kur e shihte si stërmundohej, por ishte i vendosur ta vriste, sepse me të do të ushqeheshin shumë njerëz. Atë e mundonte pyetja meditative retorike: “A janë të denjë njerëzit ta hanë mishin e tij?” Përgjigjja ishte: “Ata, nuk janë të denjë të hanë atë peshk, që lufton me kaq dinjitet dhe kaq madhështi”.

Dialogu alegorik, me ngjyrime të thella personifikuese, mes plakut dhe peshkut, tregon vendosmërinë e peshkatarit për të trimfuar mbi qëndresën e peshkut. Ndaj i drejtohet atij përmes apostrofit metaforik: “O peshk! Ti për të vdekur që për të vdekur ke. Mos vallë do që dhe unë të vdes me ty!” Ishte çasti kur plakun po e shkatërronin gjumi dhe dhembjet, ndërsa forcat dalëngadalë po e linin. Megjithatë, plaku nuk i hiqte sytë nga peshku i madh që kishte kapur.

Kur pa se gjahun e tij nisën ta sulmonin peshkaqenët, mendoi se do të ishte më mirë që kjo pamje të ishte një ëndërr e frikshme. Plaku i goditi ata pa shpresë, por me guxim dhe vendosmëri. Kur peshkaqenët kafshonin peshkun, i dukej sikur i këpusnin copa mishi nga trupi i tij. E vrau me guxim peshkaqenin për të shpëtuar peshkun e tij dhe në këto çaste iu duk vetja sikur ishte në një ëndërr të bukur triumfale. I mbushur plot shpresë e forcë mediton: “Në fund të fundit, njeriu nuk është krijuar për të pësuar disfatë. Njeriun edhe mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh”. “E vetmja gjë që më ka mbetur,- thotë ai,-është që të mendoj se tashmë jam më afër shtëpisë. Prandaj është marrëzi që të mos shpresosh.”

Është e vërtetë që peshkun e gjorë e vrau, por siç thekson dhe vetë, e vrau jo për egoizëm, por për të mbajtur frymën gjallë. Edhe peshkaqeni që i sulmoi gjahun e tij të mjerë, iu dhimbs kur e vrau, sepse edhe ai luftonte për ekzistencë. Ai nuk qe si peshkaqenët e pangopur Galanos, të cilët ishin aq të neveritshëm, saqë kur kishin uri, kafshonin edhe lopatën, edhe timonin e thyer të barkës, bile sulmonin edhe njerëzit që gjenin përpara. Ata erdhën me dinakëri të madhe, por plaku u nguli tehun e lopatës. Edhe pse plaku e qëlloi disa herë, peshkaqenët e pangopur nuk shqiteshin nga gjahu i tij i mjerë. Ishte çasti, kur ata i rrëmbyen pjesën më të mirë të tij. Edhe pse u trishtua shumë, plaku i dha kurajo vetes: “Çlodhu tani dhe mundohu të mbrosh atë që ka mbetur.” Erdhi koha kur peshkaqenët sulmuan me tërë fuqinë dhe egërsinë e tyre. Plaku jo vetëm që ishte i dërmuar fizikisht e shpirtërisht, por kishte mbetur edhe pa armët e duhura, me të cilat do të luftonte kundër peshkaqenëve të tërbuar. Prandaj, i dëshpëruar thellë, i drejtohet kështu peshkut të tij të sakatuar: “O gjysmëpeshk, më vjen keq që të shkatërrova ty edhe veten, por unë do të luftoj për të të mbrojtur derisa të vdes. Mbase do të kem fat të të shpie në shtëpi të paktën gjysmën.”

Ai luftoi për ta ruajtur fatin e tij nga grabitqarët për 84 ditë rresht. Por, më në fund, fatkeqësisht ia rrëmbyen peshkaqenët. Plaku Santiago shpejtonte të kapte sa më parë rrugën e Gulf Streamit. Por ende ishte larg. Nata po binte dhe peshkaqenët do ta sulmonin përsëri. Po ç’mund të bënte një njeri i vetëm dhe pa armë! Peshkaqenët s’kishin çfarë të kafshonin më. Plaku mezi merrte frymë. Pasi pështyu në oqean, tha me vete: “Shqyejeni këtë galanosin! Dhe pafshi në ëndërr sikur keni vrarë një njeri!” (104) E kuptonte që tani ishte mposhtur përfundimisht, por nuk donte ta jepte veten. Ndaj shkoi te kiçi, ku gjeti copën e thyer të timonit dhe në çast po mendonte ta drejtonte barkën me këtë gjysmëtimon. Edhe pse gjahut të tij i kishte mbetur vetëm skeleti, plaku e ndiente veten të lehtësuar, sepse ishte mundur me nder, por nuk ishte mposhtur. Prandaj pyet veten: “Ti vërtet u munde. Luftërat e ashpra e kanë një humbës. Po kush të mposhti ty?! Askush!”- thotë ai plot krenari.

Njerëzit që ishin mbledhur të shihnin gjahun e çuditshëm, për të cilin plaku i detit kishte luftuar me peshkaqenët dhe dallgët për ditë e javë të tëra, u habitën kur e panë. Ndaj, të çuditur, pyesnin njëri- -jetrin: Ç’është ky peshk?! Ai tashmë, s’ishte gjë tjetër veçse një skelet i gjatë i një peshku të asgjësuar, që priste ta merrte zbatica. Ishte tjetërsuar në një peshk të çuditshëm, sa real, aq dhe metaforik, që kishte vënë në sprovë guximin dhe vendosmërinë e një njeriu të paepur siç ishte Santiagoja, plaku i detit, përballë vështirësive, pengesave dhe sakrificave sublime. Këtej buron sentenca, sa e thjeshtë, aq dhe filozofike: “Njeriun mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh.” Dhe këtë filozofi të thjeshtë popullore nobelisti i madh, Heminguej, ka guxuar të na e përcjellë nëpërmjet trillit krijues dhe artit të fjalës. Siç duket, paska pasur të drejtë Pikasoja, kur shkruante sentencën sa metaforike, aq dhe filozofike: “Arti është një gënjeshtër, që na bën të kuptojmë të vërtetën.”/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →