Nga paradhoma e vdekjes te përkthyes i diktatorit, si i mbijetoi Jusuf Vrioni komunizmit! Pas torturave mizore dhe izolimit 27 muaj në hetuesi, tentoi të presë damarët

nga paradhoma e vdekjes te perkthyes i diktatorit si i mbijetoi jusuf vrioni komunizmit pas torturave mizore dhe izolimit 27 muaj ne hetuesi tentoi te prese damaret





































Jusuf Vrioni ishte një dëshmitar okular i të gjithë fazave të procesit të shterpëzimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar.

jusuf-vrioni enver hoxha

Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin, por të gjithave u mbijetoi. Ai mundi t’i mbijetojë regjimit komunist, përktheu Kadarenë dhe diktatorin, nën peshën e 13 viteve të gjata të burgut, punës së detyruar në tharjen e kënetës së Maliqit dhe survejimit 27-vjeçar. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujtoi dje në Ditën Ndërkombëtare përkthyesin e mirënjohur, Jusuf Vrioni. Ai mundi t’i mbijetojë regjimit komunist, përktheu Kadarenë dhe diktatorin, nën peshën e 13 viteve të gjata të burgut, punës së detyruar në tharjen e kënetës së Maliqit dhe survejimit 27-vjeçar.

Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar. Më 13 shtator 1947 arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do t’i quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27-mujor, ai tentoi të presë damarët. Por në 29 qershor 1950 Vrioni dënohet me 15 vjet burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85- vjeçare. Ai u nda nga jeta në Paris më 25 maj 2001. Më 2006, Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.

ARRESTIMI

Jusuf Vrioni ishte një ndër intelektualët e shumtë që regjimi komunist arrestoi e burgosi sapo mori pushtetin. I lindur në Korfuz, me 16 mars 1916, vitet e para të fëmijërisë i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrionit si ministër i Jashtëm dhe ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly në Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Etudes Politiques të Parisit.

Më 1939 rikthehet në Shqipëri, por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë, pranë të vëllait. Rikthehet në Tiranë më 1943. Që në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist Jusuf Vrioni, si shumë intelektualë të tjerë, vihet nën shënjestrën e Sigurimit të Shtetit, derisa më 13 shtator 1947 arrestohet dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Pikërisht më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundër popullit dhe shtetit, si anëtar i organizatës tradhtare social- demokrate dhe si agjent i spiunazhit francez në Tiranë”.

Pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu. Dënimin e kreu në burgun e Burrelit. Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës.

Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua.

RRËFIMI

Jusuf Vrionit shumë vite më parë ka rrëfyer momentin e arrestimit të tij në shtator të vitit 1947. Jusuf Vrioni përkthyesi i rrallë i frëngjishtes, ishte 31 vjeç kur e arrestuan. Në libri i tij me kujtime ai e tregon me detaje natën e arrestimit duke e quajtur atë si nata që i përmbysi jetën. “Më kujtohet ajo si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime 32 vjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë…Prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzetë. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin. Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët m’u drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të të bërë”.

I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur po zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë, me 18 dënime me vdekje…Eca pas atyre njerëzve duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tejet naiv që të pandehje se mund të shkoje në mjediset e Sigurimit për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë” ka rrëfyer ai. Vrioni ka treguar me detaje vajtjen në hetuesinë e Tiranës. “Mbërritëm te Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë mor Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët?”. Këto pyetje që m’u bënë aty për aty me një ton gjasme gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: ndërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike…

Më çuan te një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore që mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë që mos të kishte frikë, por të dëgjonte xhipin e këtyre djajve të vdekjes tek ndalonte para derës së shtëpisë në mes të natës. Të tre këta vrasës bënin një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të të banesës dhe në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeqë. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë, drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë Sigurimi, por Garda e Popullit”,-është shprehur Jusuf Vrioni.

PËRKTHIMI

Jusuf Vrioni u lirua në fund të vitit 1958 dhe internohet në Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes. Në fillim të viteve ’60, Vrioni u njoh dhe u miqësua me shkrimtarin Ismail Kadare. Duke çmuar pasurinë gjuhësore dhe vlerën e veprave të Kadaresë, Vrioni e vuri talentin e tij si përkthyes në shërbim të këtij shkrimtari. Kësodore gjatë orëve të lira i përktheu veprat e tij thjesht për kënaqësi. Ndër përkthimet e tij të para numërohet “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris.

Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Vrioni u ngarkua me përkthimin e veprave të Enver Hoxhës duke ngjallur xhelozinë e anëtarëve të nomeklaturës komuniste. Kadare qëllimisht i qëndronte pranë dhe e ftonte në takime zyrtare, pa marrë parasysh të kaluarën e tij politike dhe mosaprovimin e nomeklaturës. Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 e detyruan të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Paris. Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhrin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish- dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO. Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 qershor 2001, me titullin Qytetar Nderi. Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni. Por a ndihej ai i plotësuar prej “karrierës” së tij të përkthimit? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, çka del prej krahasimi të makinës së tij të shkrimit me lopatën e burgut, në kujtimet e tij: “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike!”. E ndiej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës “Triumph”, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. “Burgjet e mia…”./ GAZETA PANORAMA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →