“Nga sot, në asnjë cep nuk do të lejohet simbolika e diktatorëve”, Kosova heq banerin me Vuçiçin, Gjokoviçin e Putinin në Zveçan

nga sot ne asnje cep nuk do te lejohet simbolika e diktatoreve kosova heq banerin me vucicin gjokovicin e putinin ne zvecan

Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar të enjten se e kanë hequr një bilbord në Zveçan, me fotografi të personaliteteve të ndryshme – përfshirë presidentin e Serbisë e Rusisë – me arsyetimin se nuk do të lejohen simbolika të personave që kanë qasje agresore ndaj Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Përveç presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe atij serb, Vladimir Putin, në bilbord janë parë edhe fotografitë tenistit serb, Novak Gjokoviç kirurgut serb, Zoran Krivokapiç, diplomatit Jugosllav Kostiç, ish-drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç dhe kryetarit të Komitetit të Republikës Sërpska për ndihmë për serbët në Kosovë, Milorad Arllovit.

Të gjithë janë të shpallur më parë qytetarë nderi nga Zveçani, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një pjesë e mirë e tyre janë shprehur edhe publikisht kundër shtetësisë së Kosovës.

“Simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit tonë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, ka shkruar Sveçla në Facebook, derisa ka publikuar një video ku janë parë punëtorë të kontraktuar nga Qeveria e Kosovës duke e larguar bilbordin.

“Nga sot, në asnjë cep nuk do të lejohet simbolika e diktatorëve, apo vendeve të cilat janë agresore në raport me Kosovën dhe ekzistencën e saj”, ka thënë mes tjerash Sveçla.

“Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj, ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuara për rend e ligj dhe zbatim të kushtetutshmërisë në çdo pjesë të vendit tonë”.

Bilbordi ka qenë i vendosur afër fshatit Banjskë, vendin ku në shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Tenisti serb, Gjokoviç, pati nderuar sulmuesit e vrarë serbë në Banjskë, përmes disa postimeve në rrjetet sociale.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që e mohon Beogradi zyrtar.

Kurti: Sulmin në Banjskë e kreu “Klani i Novi Sadit i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”
Serbia nuk e pranon shtetësinë e Kosovës, ndërsa kultivon lidhje me Rusinë.

Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje disa herë Beogradit që të veprojë në përputhje me politikën e jashtme të bllokut evropian – përfshirë vënien e sanksioneve ndaj Rusisë – pasi diçka e tillë është e domosdoshme në rrugën e tij drejt integrimeve evropiane./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →