Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga zhvilloi një takim informal në policinë vendore të Shkodrës. Pas komandimit të tij në krye të policisë së shtetit duke zëvendësuar Muhamet Rrumbullakun, i cili dha dorëheqjen më 5 shtator, Bizhga një prej takimeve të para zgjodhi ta zhvillojë në Shkodër.
Kreu i policisë së shtetit ka mbërritur që në orët e mëngjesit duke ndarë fillimisht një kafe në mjediset e FNSH dhe më pas ka vijuar takimit në policinë e Shkodrës me drejtorin Edmond Sulaj, zëvendës drejtorët dhe shefin e komisariatit. Kjo vizitë në Shkodër vjen menjëherë pas akuzave të kryetarit të grupit parlamentar të PD ndaj drejtorit Sulaj të cilat ky i fundit i hodhi poshtë përmes një reagimi. Në këtë takim kreu i policisë së shtetit ka kërkuar që të ketë një vëmendje të shtuar për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale në Shkodër duke qenë se kohët e fundit ka patur disa të tilla.
[embedded content]
Po ashtu drejtori i përgjithshëm Bizhga sipas burimeve kërkoi në këtë takim me krerët e policisë së Shkodrës luftimin ndaj bandave kriminale dhe individëve kriminal për të mos toleruar në asnjë moment. Gjithashtu një tjetër pikë e diskutuar është një kujdes më i madh edhe në kontrollin e territorit në gjithë hapësirën e qarkut Shkodër, kryesisht në qendrat e banuara për të shmangur çdo lloj problematike. Lufta ndaj kanabisit dhe goditja e rasteve të trafikimit ndaj lëndëve narkotike mbetet një prioritet i përhershëm që drejtori Bizhga e kërkoi në këtë vizitë të tij në Shkodër. Prania më e shtuar e policisë rrugore në akset e Shkodrës apo një përkujdesje e efektivëve në afërsi të shkollave janë një tjetër pikë e rëndësishme që gjithnjë kërkon vëmendje.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co