“Ngjyra e zezë, e ndaluar”/ Pasi i ndaloi hixhabin, qeveria e Taxhikistanit nxjerr udhëzime të reja për veshjen grave

ngjyra e zeze e ndaluar pasi i ndaloi hixhabin qeveria e taxhikistanit nxjerr udhezime te reja per veshjen grave
ngjyra e zeze e ndaluar pasi i ndaloi hixhabin qeveria e taxhikistanit nxjerr udhezime te reja per veshjen grave

Veshjet e grave janë ndër prioritetet kryesore në agjendën e Qeverisë në Taxhikistan, ku autoritetet dhe klerikët fetarë janë duke punuar në udhëzimet e reja se çfarë duhet të veshin gratë në punë dhe në kohën e lirë.
Kodi i ri i veshjes – i dyti i këtij lloji në gjashtë vjet – pritet të bëhet publik brenda ditësh dhe është paralajmëruar se do të organizohet një ngjarje speciale në Dushanbe, në gusht, për t’i prezantuar rrobat e pranueshme.

Sulaimon Davlatzoda, udhëheqës i Komitetit shtetëror për Çështje Fetare dhe Rregullim të Traditave, ka thënë në një konferencë për media se “task forca e përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Komitetit të Grave dhe Komitetit për Çështje Fetare, është duke punuar për të vlerësuar se cilat veshje janë më të përafërta me vlerat dhe traditat tona kombëtare”.

Kodi i ri i veshjes vjen pasi Taxhikistani i ka ndaluar zyrtarisht në qershor “veshjet e huaja për kulturën taxhike”, shprehje e përdorur gjerësisht për të përshkruar fustanin islamik, të cilin e konsideron si shenjë të jashtme të ekstremizmit të mundshëm fetar.

Më herët gjatë javës, Këshilli i Ulemave, që mbështetet nga shteti, e ka lëshuar një fatva – verdikt fetar – kundër “rrobave të zeza” si dhe “rrobave të ngushta dhe të tejdukshme” për gratë. Në Taxhikistan, shprehja “rroba të ngushta” përbën eufemizëm për hixhabin islamik. Në fatvan e 26 korrikut është thënë se ngjyra e zezë nuk është e përshtatshme për “karakteristikat tona kombëtare dhe gjeografike”.

Duke i dhënë jehonë qëndrimit të ditur tashmë qeveritar për veshjet e grave, në fatva është promovuar një kostum kombëtar për gratë taxhike, që përbëhet prej një fustani, pantallonave dhe një shamie. Në fatva është thënë se ky kostum me tri pjesë është tërësisht në linjë me praktikat islamike që parashohin fshehjen e gjithë trupit të grave, përveç fytyrës, duarve dhe shputave. “E kemi marrë mesazhin”
Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, i cili ka qenë në pushtet më shumë se 30 vjet, është kritikuar prej grupeve për të drejta të njeriut për shtypjen e mediave të pavarura, pluralizmit politik dhe lirive fetare.

Besimet dhe praktikat fetare që dalin përtej normave shtetërore, shihen shpesh prej autoriteteve si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Taxhikistanit. Gratë taxhike, sidomos ato që vendosin hixhabin, kanë thënë se besojnë që ndalesa e qershorit për hixhabin, dhe udhëzimet në ardhje se çfarë duhet veshur, janë “të panevojshme, hap i tepërt”. “Ngjyra e zezë veçse është ndaluar”, ka thënë Munisa, infermiere në një spital shtetëror, e cila nuk ka dashur të identifikohet me mbiemër.

Ajo i është referuar një deklarate fetare të vitit 2017, përmes së cilës është ndaluar ngjyra e zezë nëpër funerale. Në vend të ngjyrës së zezë, grave u është kërkuar të vishen me ngjyrë të kaltër, për të kujtuar të vdekurit. “Asgjë e re për ndalesën e hixhabit”, ka thënë Munisa. “E kemi marrë mesazhin tash e një kohë. Nuk ka nevojë të përsëritet me ligje të reja”, ka thënë 40-vjeçarja.

Sikurse shumë taxhikë, Munisa beson se fatva nuk ka të bëjë me veshjet e ngushta dhe transparente, por që shënjestër kryesore e ka veshjen islamike, të cilën Qeveria e konsideron “të huaj” dhe kërcënim për Qeverinë sekulare. Shembull, ndalesa paraprake në minifunde nuk është zbatuar asnjëherë.

Në Taxhikistanin me shumicë myslimane, një komb me gati 10 milionë banorë, fushata e autoriteteve kundër mbulesës fetare, ka nisur më 2007, kur Ministria e Edukimit e ka ndaluar hixhabin dhe minifundin nëpër shkolla. Me kalimin e kohës, ndalesa ka vlejtur edhe për vendet e punës, dhe për pasojë, zyrtarë policorë kanë kryer kontrolle të vazhdueshme për të parë nëse po zbatohet vendimi. Shumë gra me hixhabë janë përballur me zgjedhjen e vështirë, mes besimeve fetare, kulturore dhe karrierave të tyre. Disa kanë braktisur vendet e punës, apo studimet, ndërsa tjera – sikurse Munisa – e kanë zëvendësuar mbulesën islamike me mbulesën tradicionale.

Burrat taxhikë kanë qenë, gjithashtu, pre e vendimeve të tilla në të kaluarën, pasi autoritetet e kanë konsideruar të dyshimtë, secilin që ka pasur mjekër të gjatë. Më 2015, një shef rajonal policor në provincën Kalton, pati thënë se gati 13.000 burra me “mjekra të gjata dhe të pambajtura” janë endur nëpër rrugë dhe më vonë i kanë “rregulluar mjekrat”. Një zyrtar i lartë qeveritar i ka paralajmëruar blogerët taxhikë më 2023 që promovimi i mjekrave mund të interpretohet si “shprehje solidariteti me grupet terroriste” dhe përbën “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Më 2018, Ministria e Kulturës e ka publikuar Manualin e Veshjeve që Rekomandohen në Taxhikistan, në të cilin përmenden dizajnet, ngjyrat dhe materialet e duhura për veshjet. Ndonëse manuali inkurajon gratë të veshin konsumin trepjesësh taxhik, në zyrë sugjerohen veshje të stilit perëndimor, por me dekolte më modeste. Ende nuk dihet nëse kodi i ri i veshjes do të jenë në linjë me manualin paraprak.

Shtypje e re
Disa banorë të Dushanbesë janë ankuar për ndalesën e re për veshjet “e huaja”, duke nxitur kështu intervenimin e dorës së pushtetit. Në Dushabe, një grup i grave me hixhab janë mbledhur më 22 maj nga zyrtarë për zbatim të ligjit dhe janë dërguar në stacionin policor.

Njëra prej grave i ka thënë më vonë Shërbimit taxhik të Radios Evropa e Lirë se zyrtarët ua kanë marrë shenjat e gishtërinjve, u kanë bërë fotografi të profilit, dhe i kanë detyruar të premtojnë që nuk do të veshin kurrë më veshje “të huaja”. Ato janë liruar pas disa orësh.

Më 23 maj, policia në rajonin Shohmansur i ka ndalur për pak orë 13 burra me mjekra dhe u ka kërkuar t’i rruajnë ato. Një burrë i ka treguar Radios Evropa e Lirë se, Policia i ka paralajmëruar që do të mund të arrestohen nëse shihen sërish me “mjekra të gjata”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →