Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë, ku ka nisur sot turin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyen u prit në ambientet e Kryeministrisë, nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Vizita është pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reforma në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Kryeministria, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama.
Pas takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Rreth orës 17:00, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Kampusit të Kolegjit të Europës.
Ky është i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian. Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë, dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik.
Agjenda e Von der Leyen vijon të enjten me një takim me presidentin Bajram Begaj në orën 10:00. Më pas, Presidentja e Komisionit Europian lë Tiranën për të vijuar me turin ballkanik në 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.