Teksa vëmendja e madhe u përqendruar tek barazimi dramatik dhe te fakti që Interi la dy pikë në debutim kundër Xhenoas, u la mënjanë ai që ishte protagonisti kryesor i ndeshjes, ai që mund të ndryshojë fatet e këtij sezoni për ekipin kampion të Italisë.
Ai që mund të marrë përsipër peshën e repartit të avancuar, ndërkohë që më përpara ka qenë i varur nga Lautaro Martinez. Bëhet fjalë për Markus Turamin, i cili është paraqitur ndryshe në sfidën e parë. Deri tani ka qenë sulmues i dytë, por tani është duke avancuar përpara dhe me besim për të bërë rolin e sulmuesit të parë. Nga sulmuesi që shërbente asiste për “Toron”, në lojtarin që tani i zgjidh vetë ndeshjet.
Dopieta e parë e shënuar në Serinë A ditën e shtunë ishte diçka që shënjon një epokë të re. Dhe është fryt i punës që francezi ka bërë për të korrigjuar disa gabime si në sezonin e kaluar kur dilte tek për tek portierët. Të shënojë më shumë nuk është një objektiv, por një mision. Humbja e rastit flagrant në “Metropolitano” të Madridit në momentin më të rëndësishëm të sezonit të kaluar “djeg” akoma. Nga ajo ditë dhe deri tani ka nisur “riformatimi” i një numri 9 më tradicional që tani kalon nga teoria në praktikë. Golat në Xhenova pas atij me Çelsin janë një sinjal shprese për të ardhmen. Interi mund të mendojë pozitivisht.
Markus e kaloi sezonin e vjetshëm si një “shërbëtor” i Lautaro Martinez dhe nuk ishte i programuar domosdoshmërisht për golat, edhe pse gjithmonë ka menduar kapiteni. 13 golat e francezit kanë qenë të rëndësishëm dhe vendimtarë, por thelbi i punës së tij ishte përtej golave. Lëvizjet ishin ato që t’i vinin në ndihmë Lautaro Martinezit për të gjetur hapësira. Xheko dhe Lukaku e kishin detyruar shpesh “Toron” që të ishte ai i sakrifikuari. Ekuilibrat në këtë sezon sigurisht që nuk do të ndryshojnë.
Golashënuesi kryesor është gjithmonë i njëjti, por Markus duhet të jetë më i saktë dhe i sigurt përpara portës kundërshtare. Ky lojtar do të shërbejë për të zgjidhur ndeshjet e vështira, në të cilat Lautaro nuk mund të bëjë dot gjë. Vitin e kaluar, Markus e dërgoi në rrjetë “binjakun” e tij të sulmit 5 herë dhe altruizmi nuk ka munguar, por sigurisht që 13 gola në një sezon për vete nuk i mjaftojnë më. Do të kërkojë të arrijë shifrën e 20 golave dhe mundësitë i ka për ta bërë diçka të tillë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co