Teuta ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Partizanit, duke marrë kështu 3 pikë të rëndësishme në garën për mbijetesën. Në krahun tjetër, ekipi i Orges Shehit ndalet, pas dy fitoreve të fundit.
Të kuqtë shënuan në minutën e 12-të me Mikulic, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në minutën e 24-të, ishte Rrapaj që provoi nga goditja e dënimit, pa rezultat.
Me shifrat 0-0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë skuadrat u vendosën në kërkim të goliy. Në minutën e 57-të, Klajdi Daci pati mundësinë ideale për të shënuar për Teutën, por shpërdoroi një nga ato raste që të vijnë rrallë herë në jetë.
Gjithsesi, goli i “Djemve të detit” nuk vonoi shumë. Një goditje fluturimthi e Peposhit “shkundi merimangat” e portës së Alban Hoxhës, një gol që fare mirë mund të konsiderohet si një nga më të bukurit e këtij sezoni. Teuta renditet në vendin e tetë me 31 pikë, sakaq Partizani në vendin e 3-të me 46 pikë.
Egnatia kryesuese vazhdon me rezultatet negative në kampionat, teksa sot u imponua 2-0 në Korccë ndaj Skënderbeut. Skuadra nga Rrogozhina ka 51 pikë dhe sheh t’i afrohen ndjeshëm rivalët. Ekipi i Gvozdenovic konfirmon edhe një herë sezonin pozitiv teksa ka grumbulluar 40 pikë dhe është në vendin e katërt.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co