Uvil Zajmi/ Një titull që të tërheq, të nxit ta lexosh librin pa humbur kohë. Një libër që ka për autore Klodeta Gjinin, një ish-kampione, sportiste elitare, rekordmene të atletikës, në kërcimin së larti. “Centimetra jete”,- një tregim që merr jetë në vetën e parë njëjës sepse brenda ka reflektime personale”- shprehet Klodeta, që prej vitesh e transefruar në Itali, Bolonja ku jeton, punon, pa iu ndarë jetës aktive me angazhime pa fund. Për t’u rikthyer në vendin e saj, sërish si protagoniste, duke gjetur një mënyrë, origjinale, mjaft provokuese dhe të veçantë.
Botimin e një libri për jetën, karrierën e saj. Një udhëtim përmes stinëve të jetës, atyre të kaluara, që kanë lënë shënjë mbi të. Është një udhëtim që gërsheton ngjyrat dhe profumet e së shkuarës me ato të sotmet dhe pa dashje kërkojnë të rikthehen por enden ngatërrohen deri sa shkrihen me ndjesitë shpirtërore që herë-herë janë të ngrohta ose shpesh edhe tejet të akullta. Ka të tilla që kur i përjeton të mbushin me djersë të ftohta.
“Në këtë gërshetim vitesh, gjithësesi, mbizotëron harmonia mes ditëve me re e shi me ato me ngricë, ku morthat e gishtave shkrihen ndërsa ngrohen nga dielli përvëlues i verës. Shpesh lahej balta e mëngjesit për të mbartur të re pasdite mbi po ato veshje përfaqësimi sportiv. Uniformat e garës ishin laj e thaj sepse kishim vetëm një të tillë. Pambuku i tyre ishte i trashë dhe materialet teknike të sotshme atëherë nuk ekzistonin, por ai fill pambuku i trashë na garantonte higjienën. Ato vite nuk njihnim çfarë ishin alergjitë, por na mungonte praktikticiteti. Ishin veshje që nuk nxirrnin në pah bukurinë e trupave të skalitur me vullnet e pasion, ditë mbas dite në pistat e dheut apo qymyrit ku stërviteshim dhe. Jeta ime si për të gjithë ka të djeshmen dhe të sotmen”- tregon Gjini.
Centimetra jete”, një libër që na sjell Klodeta Gjini. Një libër voluminoz me 513 faqe, që shoqërohet edhe me fotografi e dokumente të ndryshme. Me 25 kapituj ku trajtohet jeta, aktivititeti personal i Gjinit, dje dhe sot. Mbi një dekadë punë pa ndërprerje, një ide e ardhur edhe nga dëshira për të rrëfyer eksperiencën e saj. “Me nxitjen edhe të një piktori, Zamir Matit që jeton në Paris, Francë, i pari që më shtyu në këtë drejtim”-thotë. Një libër që na risjell një ritakim me kampionen tonë kur thotë: “Vetë në mënyrë spontane, fillova të mbledh ato copra kujtimesh, përjetimesh dhe emocionesh, që secili nga ne i ruan brenda vetes por që nuk ka mundësi ti preki, por lirshëm mund t’i shkruaj, t’i tregoj dhe ndërkohë t’i përjetoj ato”.
Për të vijuar: “Janë vite ku bashkëjetesa e këpucëve të lagura, që vihen të thahen në ato pak rreze diell, përgjatë dritareve apo ballkoneve të hoteleve bëhen njësh me uniformat e atleteve shumëgariste, që shtrydheshin me peshqir mbas një gare nën shi për t’u veshur përsëri në trup ashtu të lagura e vazhduar garat e pasdites”. “Centimetra jete”, pasi të tillë e ka jetën, karrierën duke matur, e përjetuar me centimetra. Një libër që pasuron arkivin e sportit, që vuan, ka mangësi, i mungojnë të tilla profile. Jam munduar të qëndroj sa më koherente, të jem preçize edhe në ato kujtime që koha mund t’i ketë shtrydhur, zhubravitur apo deformuar nën presionin e saj dhe të emocioneve. Ndofta kjo gjurmë e shkruar që lidh së bashku atë ç’ka kam perceptuar dhe jetuar ndër vite mund të jetë e vlefshme për dikë apo një dëshmi për ato vite kur jetohej në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë”- shprehet Klodeta.
/Gazeta Panorama