Një meme e re po shpërndahet gjerësisht këtë javë në llogaritë e mediave sociale në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogotá, ndërsa qyteti po përballet me krizën e ujit. Është një imazh i C. Montgomery Burns, supervillani nga seriali i animuar “The Simpsons”, i cili shfaqet te dera me një tufë trëndafilash të kuq dhe një kuti çokollate në formë zemre. Duke buzëqeshur, ai thotë : “Pashë që racioni juaj i ujit është i ndryshëm nga i imi.”
Meme pasqyron një sens humori të errët mes disa banorëve të Bogotas pas njoftimit të autoritetit të qytetit të hënën se banorëve do t’u duhej të racionojnë ujin pasi thatësira, e nxitur nga fenomeni El Niño, gjë që bëri që nivelet e rezervuarve të jenë më të ulëtat ndër vite.
Racionimi hyri në fuqi të enjten në mëngjes. Bogota dhe dhjetëra qytete përreth janë ndarë në nëntë zona të ndryshme me ndërprerje të ujit të rrjedhshëm për 24 orë në secilën zonë me një rotacion që do të rivendoset çdo 10 ditë. Masat do të prekin rreth 9 milionë njerëz.
Masat janë pjesë e planeve emergjente të prezantuara nga qeveria kolumbiane dhe kryetari i bashkisë së qytetit pasi rezervuarët arritën nivelet më të ulëta në histori. Rezervuarët Chuza dhe San Rafael, pjesë e Sistemit Chingaza që siguron 70% të ujit të pijshëm të qytetit, janë në pozicione veçanërisht kritike , sipas autoriteteve lokale.
“Le të mos harxhojmë asnjë pikë ujë në Bogota në këtë kohë,” tha kryebashkiaku Carlos Fernando Galán në një konferencë shtypi të hënën, duke shtuar, “kjo do të na ndihmojë që këto kufizime të mund të hiqen më shpejt ose të reduktohen.”
Galán bëri thirrje për “një ndryshim të sjelljes që është i qëndrueshëm me kalimin e kohës dhe garanton që uji është i mjaftueshëm për të gjithë”, duke shtuar se disa nga rezervuarët kanë më pak se 20% kapacitet krahasuar me mesataret historike për këtë periudhë të vitit.
Nuk është e pazakontë që qytetet në Amerikën Latine të përballen me krizat e ujit. Bogotá bashkohet me Mexico Cityn në veriperëndim të tij, i cili gjithashtu mund të jetë në prag të mbarimit të ujit, pasi kombinimi i ndryshimeve klimatike, El Niño, gjeografia dhe zhvillimi i shpejtë urban i ngarkojnë burimet e tij ujore.
Por kjo shënon herën e parë në historinë e fundit që Bogota detyrohet të zbatojë masat e racionimit të ujit.
E vendosur në një pllajë malore, Bogota është një nga kryeqytetet më të larta në botë në më shumë se 2,600 metra mbi nivelin e detit. Në lindje të saj, janë majat e Andeve, në perëndim të saj është një luginë e harlisur përmes së cilës gjarpëron Magdalena, lumi më i madh i Kolumbisë dhe një burim jetik uji.
Lagështia nga pyjet tropikale të shiut përgjatë Magdalenës ngrihet në luginat malore dhe përplaset me temperaturat më të ftohta në majë, duke gjeneruar shi. Siç e di çdo banor i Bogotas , shiu është mjaft i zakonshëm në qytet, i cili mbështetet shumë te reshjet për nevojat e tij për ujë.
“Shumica e qyteteve në mbarë botën varen nga akuiferët për furnizimin e tyre me ujë. Bogota është e ndryshme në atë që pothuajse i gjithë furnizimi ynë vjen nga ujërat sipërfaqësore si rezervuarët, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj modeleve të shiut,” tha Armando Sarmiento, profesor ekologjie në Universitetin Javeriana të Bogotas.
Është kjo varësia nga shiu që e bën Bogotan veçanërisht të prekshëm ndaj thatësirës, tha Sarmiento për CNN.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co