Gazetarja italiane, Cristiana d’Alesio ka realizuar nje reportazh për Corriere della Sera, në të cilën përshkruan eksperiencën e pensionistëve italianë që prej vitesh jetojnë në Shqipëri.
Carmine Iampietro, president i shoqatës së pensionistëve italianë në Shqipëri, tregon se arsyet pse pensionistët italianë po zgjedhin Shqipërinë si destinacion, përfshirë përjashtimin nga taksat mbi pensionin dhe një kosto të ulët jetese.
Po ashtu, edhe fotoreporterit Luca Turi, i cili ka dokumentuar për më shumë se tridhjetë vjet historinë e Shqipërisë, nga periudha e pas-komunizmit deri në zhvillimet e fundit, rrëfen jetën e tij në Shqipëri këto vite.
Nëpërmjet kujtimeve, ai tregon një Shqipëri të transformuar, nga një vend i varfër dhe i pasigurt në një destinacion tërheqës për turistët dhe pensionistët italianë.
Reportazhi i Cristiana d’Alesio
Carmine Iampietro, 75 vjeç, është president i Apia-s, shoqatës së pensionistëve italianë në Shqipëri. Ai jeton në Durrës prej dhjetë vitesh me gruan e tij dhe është pika e referencës për të gjithë ata që duan të transferojnë transferojnë vendbanimin në “Vendin e Shqiponjave”.
Pas 48 vjetësh pune si mekanik motorash në Novara, ai kaloi detin për të shijuar pensionin. Në vitin 2015 ai bëri valixhet dhe nisi një udhëtim pa kthim drejt Shqipërisë.
“Arsyeja nuk është vetëm ekonomike, pasi pensioni i dërguar nga INPS këtu mbetet i paprekur dhe nuk paguhen taksa”, tregon Carmine për “Corriere della Sera”.
“Por gjithashtu për shkak se ndihesh i sigurt, nuk ka krime dhe në mbrëmje mund të ecësh qetësisht pa pasur frikë se do të të grabisin. Në Shqipëri ka siguri në dënim dhe nuk ka ulje dënimesh për ata që kryejnë vepra penale. Dhe kjo, për një të moshuar, është garanci e qetësisë dhe paqes. Për më tepër, ka plazhe të mrekullueshme, një popull mikpritës dhe kostoja e jetesës është shumë e ulët. Mbrëmë shkuam me miqtë të hamë dhe shpenzuam vetëm 15 euro për kokë për një darkë të plotë. Një gjë që është e pamenduar në vendin tonë!”, ka rrëfyer Carmine Iampietro.
Numri i pensionistëve italianë në Shqipëri ka rritur ndjeshëm në tre vitet e fundit dhe tashmë numërohet deri në 3 mijë të tillë.
“Vijnë nga të gjitha rajonet dhe ka një përfaqësim të mirë edhe nga Puglia, që është vetëm 30 minuta fluturim larg këtu. Para vitit 2021 ishim rreth 300, tani, sipas të dhënave më të fundit të Aire, regjistri i italianëve me rezidentë jashtë, me miratimin e ligjit që lejon shtetasit evropianë që transferohen për të jetuar në Shqipëri të kenë përjashtim total nga taksat mbi pensionin, kemi arritur gati 3 mijë.
Ne jemi njohur pothuajse të gjithë, jemi një komunitet që është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë. Çdo të mërkurë takohemi live në kanalit tonë në YouTube për të diskutuar çështje nga çdo lloj fushe. Këtu në Durrës, pika jonë e takimit është kafe-restoranti “Te Xhabarka”, ku organizojmë dreka ose darka me atmosferë të këndshme”, rrëfen ai për Corriere.
Carmine Iampietro cilësohet si pionier i pensionistëve italianë në Shqipëri, për të cilët thotë se ka luftuar shumë.
“Kam luftuar më shumë se një vit me INPS-në e Novarës, por në fund ia dola. Dhe kështu krijova shoqatën dhe luftova që të gjithë pensionistët italianë të mund të merrnin leje qëndrimi pa pasur nevojë të blinin një shtëpi apo të gjenin një punë”, thotë ai.
Carmine Iampietro tha për Corriere se përjashtimi nga taksat për pensionet është arsyeja e vërtetë pse kaq shumë pensionistë mbërrijnë në Shqipëri.
“Në praktikë, në Itali, 1.500 euro bruto bëhen 1.150 euro neto, këtu mbeten 1.500 euro të pastra. Dhe nuk vijnë vetëm ata që kanë të ardhura të ulëta, ka shumë pensionistë të pasur me më shumë se 50 mijë euro në vit”, thekson Iampietro.
Pavarësisht se inflacioni ka goditur Shëipërinë, ai tregon se çmimet janë ende më të ulëta se në Itali. Carmine në vitin 2013 bleu një shtëpi në Durrës, shumë pranë detit, në një plazh rreth 8 kilometra, që i përkujton pak bregdetin Romagnol.
“Për ata që duan të blejnë një apartament në një zonë rezidenciale, çmimet janë midis 1.100 dhe 1.300 euro për metër katror, kur kam blerë unë ishin madje gjysma. Edhe qiratë janë të përshtatshme dhe lëvizin rreth 300 euro në muaj, ashtu si dhe shërbimet që arrijnë gjithsej rreth 100 euro në muaj për dritat, gazin, wifi, ujë etj”, tregon ai.
Me kursimet që bëhen nga taksat, pensionistët italianë në Shqipëri mund të kenë një cilësi jete më se të dinjitetshme.
Edhe për sa i përket kujdesit shëndetësor. Në Shqipëri, shëndetësia publike është ende nën standardet evropiane, kështu që sipas tij, është më mirë të mbështetesh në atë private dhe me një shërbim të shkëlqyer.
Carmine Iampietro tregon se shoqata e pensionistëve italianë në Shqipëri ka një marrëveshje me një klinikë në Tiranë, ku punojnë shumë mjekë italianë që ushtrojnë profesionin në të dyja vendet.
“Për një vizitë, që në Itali kushton mesatarisht 150 euro, në Shqipëri nevojiten nga 30 deri në 40 euro dhe nuk ka as lista pritjeje!”, përfundon ai.

Shqipëria i ka dhuruar fotoreporterit nga Bari, Luca Turi, një karrierë shumë të gjatë plot me lajme ekskluzive, tregime dhe imazhe që kanë bërë xhiron e botës, si ato të mbërritjes së Vlora-s në Bari me 20 mijë emigrantë në bord.
Që nga vitet ’90 deri sot, ai ka dokumentuar historinë e vendit të shqiponjave pas rënies së komunizmit, sekuencat më shqetësuese, protestat mes civilëve përtej Adriatikut, krizën bankare dhe rrugën e gjatë e të mundimshme drejt demokracisë.
“Që nga dita kur vendosa këmbën për herë të parë në Shqipëri, e kuptova menjëherë potencialin e saj të madh. Dhe nuk gabova. Jo vetëm që sot është bërë një destinacion shumë i njohur turistik për italianët, por është zgjedhur nga shumë bashkatdhetarë pensionistë si vendi ideal për të kaluar moshën e tretë”, tregon ai.
Një lidhje e gjatë kjo mes Luca Turit, tani 80 vjeç, dhe Shqipërisë, që e çoi atë në vitin 2018 të nderohej me shtetësinë nderi nga Bashkia e Durrësit dhe, në vitin 2020, të bëhej shtetas shqiptar. Ai ka pasaportë të dyfishtë, kartë identiteti dhe makinë me targa shqiptare.
“Në më shumë se tridhjetë vjet udhëtimesh, kam mësuar të njoh dhe të dua këtë vend, aq sa edhe unë, si pensionist, zgjodha të jetoj këtu pjesën më të madhe të kohës. I kam shumë borxh këtij vendi, kemi rritur së bashku dhe sot mund të them se është vendi im i zemrës: i mrekullueshëm, i sigurt dhe mikpritës”, rrëfen ai.
Për Lucan, sot Shqipëria është një vend krejt ndryshe nga ai që pa për herë të parë më shumë se tridhjetë vjet më parë.
“Në vitin 1991, disa muaj para mbërritjes së Vlora-s, isha dërguar nga Associated Press në Durrës për t’i mësuar një fotografi shqiptar zanatin. Pasi vendosa këmbën në qytet, mbeta i shokuar nga varfëria dhe dëshpërimi i njerëzve. Nuk kishte drita nëpër rrugë, rrugët ishin të shkatërruara, njerëzit dilnin për të lypur. Më çuan në një apartament për të kaluar natën dhe nga lavamanët dilnin buburreca.
Kështu, pa e menduar as për një minutë, vendosa të largohem dhe atë mbrëmje mora anijen për të kthyer në Bari. Atëherë qëndrimi im në Shqipëri zgjati më pak se pesë orë, mjaftueshëm për të kuptuar arsyet e asaj popullsie të varfër që po largohej nga vendi i saj. Pas pak, filloi shpërngulja masive e shqiptarëve në Itali, mbërritjet e vazhdueshme në brigjet e Puglias dhe kthehem për të dokumentuar për Rai-n atë që ndodhte në bregun tjetër të Adriatikut. Sot, për habi, po asistojmë në fenomenin e kundërt, atë të shumë italianëve që shkojnë në Shqipëri” thotë Luca.
Teksa rikujton vitet e tij të para në Shqipëri, me kujtime të shumta, Luca eivdeon një prej tyre, kolapsin ekonomik dhe financiar i vitit 1997.
“Kriza bankare ishte periudha më e vështirë për Shqipërinë. Kolapsi ekonomik dhe financiar i vitit 1997 çoi në protesta dhe revolta në të gjithë vendin. Brenda pak ditësh, Shqipëria ra në kaos, u plaçkitën depot e armëve, nëpër rrugë qarkullonin banda kriminale të armatosura.
Ishim në Shkodër, në kufi me Malin e Zi, duke dokumentuar plaçkitjen e një banke nga një grup rebelësh, kur papritmas një pjesë e ndërtesës që po sulmohej ra mbi ne gazetarët. Pati të plagosur dhe përfunduam në spital, në një situatë të vështirë sepse mungonte edhe dezinfektanti. Na vunë disa pikë qepje dhe Qeveria italiane dërgoi një avion civil për të na marrë, sepse nuk ishte e mundur të hynin avionë ushtarakë në vendin e huaj. Akoma në sytë e mi kam kujtimet e fëmijëve që luanin me armë dhe bomba.
Në atë periudhë ishte shumë e vështirë të kalonim kontrollet në kufi. Gjeje banda të armatosura dhe nëse lëvizje gjatë natës ishin të gatshëm të të qëllonin. Nga Vlora në Durrës udhëtonim me drita të fikura që të mos binim në sy. Për të punuar, u bëmë miq me disa njerëz të vendit që, kur ishte e nevojshme, na furnizonin me targa shqiptare për makinat tona. Në atë periudhë asnjë fotoreporter nuk donte të vinte në Shqipëri, ishte shumë rrezik”, thotë Luca për Corriere.
“Sot nëpër rrugët e Tiranës shoh makina luksoze, dyqane me markat më të njohura ndërkombëtare, lokale moderne, hotele dhe resorte luksoze të mbushura me turistë dhe investitorë. Mjafton të rikthehem pas në kohë, të shkoj pas, për të dëgjuar ato thirrje dëshpëruese që thoshin “Itali, Itali”, të gatshëm të sfidojnë vdekjen në një anije të vogël për të arritur në vendin e bukur”, përfundon ai.
–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot botasot.co