Një tendë pa leje

nje tende pa leje





































NGA PËLLUMB NAKO Pellumb Nako

Një tendë e ndërtuar pa leje mbi tarracën e një pallati, nga një individ i opozitës dhe i njohur nga publiku, gjeti një pasqyrim të gjerë mediatik. Po ashtu, edhe një reagim rrufe të disa institucioneve kompetente shtetërore, në zbatim të ligjit. Mjafton edhe kaq për të kuptuar se si funksionon aktualisht shoqëria shqiptare, përfshi këtu natyrisht edhe qeverisjet. Ndërtimet pa leje, të çdo lloj dimensioni, dihet që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë gangrena e shoqërisë sonë. Edhe autoritetet shtetërore ndër dekada nuk kanë arritur t’i vënë fre këtij fenomeni. Dhe kjo jo rastësisht.

Si shkak kryesor mbetet fakti se shoqëria shqiptare nuk ka njohur në historinë e saj ndonjë autoritet publik vendor që të qeverisë me konceptet dhe civilizimin e duhur në këtë drejtim. Madje, më e rëndomta është që të jenë pikërisht njerëzit me pushtet të parët që në fushën e ndërtimit të banesave dhe më gjerë të mos respektojnë dhe të mos mbajnë një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet gjithçkaje publike dhe privates. Madje, as vetë njerëzit e ligjit. Në këtë kontekst do ta kishim të bollshëm nëse do të kujtonim këtu që në procesin e vetingut, shumë magjistratëve nuk u është njohur si shkelje një ndërtim pa leje, në proces legalizimi.

Pra, fenomeni është mjaft masiv dhe prek gjithë shtresat e piramidës sociale të vendit. Kur fenomenet negative kanë masivitet, tregojnë se si shoqëri jemi ende nën ndikimin e fuqishëm të një mentaliteti primitiv, i cili i ka rrënjët në epokën kur në shoqërinë shqiptare nuk kishte një ndarje të qartë ndërmjet asaj çka është private dhe tjetrës që është publike. Kjo e fundit shihet si një terren mjaft i favorshëm për t’u shpërdorur me qëllim ngopjen e orekseve private të individëve, thjesht sepse konsiderohet “mall pa zot”. Diktatura nga ana e saj e fshiu fare konceptin privat e për rrjedhim nuk bëri gjë tjetër veçse e theksoi këtë karakteristikë të shoqërisë shqiptare. Fenomeni vazhdon të mbijetojë i fortë. Edhe sepse vetë individët e qeverive të ndryshme politike, të drejtësisë e të tjerë, njëri pas tjetrit nuk kanë treguar ndonjë qëndrim të ndryshëm nga ai që është masiv, ndaj dhe fenomeni i shtesave e sajesave në banesa, pa leje, është kthyer në të moralshëm, në një lloj nënkulture karakteristike e vendit. Madje, pushteti politik, ndërtimet pa leje, i ka përdorur për qëllime politike nëpërmjet legalizimeve që në thelb kanë treguar kapitullimin e shtetit, por nisur nga masiviteti i tyre kanë treguar gjithashtu mungesën e civilizimit të shoqërisë shqiptare.

Në tërësi e gjithë shoqëria shqiptare vazhdon ta ketë të vështirë vendosjen e këtij kufiri të qartë e më pas ta respektojë gjithçka që është private dhe publike. Shembujt e shkeljes së këtij kufiri janë të panumërt, por në këtë kontekst, siç u citua më sipër, shembulli më i pastër janë ndërtimet, shtesat apo sajimet e ndërtesave pa leje. Në thelb banesa përbën një përputhje delikate ndërmjet pronës materiale private që është ndërtesa dhe estetikës së arkitekturës së saj që është pronë publike. Duke qenë publike dhe duke mos qenë thjesht materiale, estetika e arkitekturës shëmtohet rregullisht në përmasa nga më të dhimbshmet. Këtë ekuilibër mund ta mbajë një kontroll social efikas që nuk lejon por njëkohësisht orienton ndërtimin apo harmoninë e banesave, larg sajimeve barbare. Kjo anomali që konstatohet në Shqipëri, vjen edhe për shkakun tjetër që lind si rezultat i mungesës së një autoriteti social të ndërgjegjshëm për të respektuar këtë ekuilibër. Mjafton të përmendim këtu faktin se në shumë qytete të vendit, ka kohë që ka nisur dhe është përfunduar rregullimi apo lyerja e fasadave të pallateve.

Ajo që konstatohet, është fakti se autoritetet vendore nuk kanë prekur shtesat dhe sajesat nëpër tarraca e ballkone sepse pas çdo sajese, shtese apo shëmtimi tjetër, qëndron vota. Dhe kjo e fundit është objektivi parësor, nuk është ndërtimi i një civilizimi korrekt që respekton privaten njëlloj si publiken, pra tjetër nga ky i sotmi. E kundërta e këtij lloj fenomeni konstatohet në lagjet karakteristike të Beratit. ‘Mangalemi’ si shembull ka një arkitekturë të veçantë, por më madhështorja e saj është gërshetimi ndërmjet publikes dhe privates dhe respektimi deri në maksimumi hapësirave aq të pakta dhe të ngushta ndërmjet vetë privatëve. Themeli i një banese është muri mbajtës i banesës tjetër. Një harmoni e tillë dëshmon për një kontroll social efikas dhe të respektuar. Kurse aktualisht nuk është e vështirë të shihen shtesat e shëmtuara apo sajimet e ballkoneve në pallatet e këtij qyteti për të treguar një kontroll social të dobët dhe një shoqëri, individët e së cilës nuk shohin më larg se interesi i tyre privat, duke shkelur me këmbë estetikën publike të banesave të ndërtuara.

Gjithçka që u tha më sipër përbën një shqetësim të hershëm, që disa shekuj më parë, të shoqërive së shteteve me demokraci të zhvilluar. Në epokën e tij, Viktor Hygo është shprehur se një ndërtesë i përket pronarit, kurse bukuria e arkitekturës së saj është pronë e gjithë qytetit. Shekuj më pas, ky fenomen vazhdon të jetë i mprehtë në Shqipërinë tonë. Për hir të vërtetës, këtë koncept të saktë nuk e shpalos aktualisht as edhe pushteti vendor në tërësinë e tij, kur konstaton me sy të lirë edhe shtesa të shëmtuara e të ndërtuara me leje. Me fjalë të tjera, ligji dënon nëse një shtesë është pa leje, kurse koncepti lidhet me estetikën e banesës, sepse jo gjithmonë leja përputhet me estetikën e arkitekturës pronë e publikut.

Problemi pra qëndron i njëjtë si në publik dhe në qeverisje. Dhe ky është një stad i caktuar, i civilizimit të një vendi. Tundimit për të ndërtuar një tendë pa leje në tarracën e pallatit nuk i ka shpëtuar as aktivistja e PD-së. Fillimisht duhet thënë se ajo dhe mjaft të tjerë si ajo duhet ta kenë të ngulitur thellë në ndërgjegje se norma të kësaj natyre duhen respektuar. Madje, të jenë të parët. Por, duke harruar se në pozicionin e një militanteje, nisur nga mënyra se si funksionojnë institucionet në Shqipëri, asaj do t’i duhet “të mos bëjë asnjë mëkat”, sepse kur fenomenet negative janë masive, automatikisht ligji bëhet selektiv. Në një farë mënyrë, opozitarëve apo “të vegjëlve” u duhet të asketojnë edhe sepse në finale, akte të tilla nuk ngjallin optimizëm për një Shqipëri më civile.

Përse e gjitha kjo?

Sepse nëse privati vepron për përfitime mbi kurrizin e asaj çka është publike, fenomeni nuk mund të zhduket, zbatimi i ligjit do të mbetet selektiv, nëse dikush tjetër në pushtet ose jo, kërkon që nga kjo anomali të përfitojë politikisht. Në një kontekst të tillë, për fat të keq jemi ende në stadin e një civilizimi akoma të prapambetur.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →