Kryetari i partisë “Mundësia” Agron Shehaj i është përgjigjur deklaratave të sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, i cili në emisionin “Kjo Javë” në News24 hodhi akuza të rënda ndaj tij duke thënë se Shehaj i shërben interesave të mazhornancës, duke luajtur rolin e opozitarit.
Në një prononcim për News 24 Shehaj tha se të gjitha pretendimet e Nokës ndaj figurës së tij janë shpifje.
Raporti mes dy opozitarëve u kris ditën e enjte gjatë seancës në Kuvend, dyshja u përplasën fizikisht, për radhën për të folur në foltore.
Shehaj tha atë ditë se Noka nuk e lejoi atë që të fliste për aferën e rrugës Kashar-Thumanë.
Shehaj i konsideron deklaratat e Nokës si shpifje që bëhen në vijim të dhunës së dy ditëve më parë, ku Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shtyu forcërisht deputetin nga foltorja e Kuvendit.
Reagimi i Agron Shehajt
“Këto janë të gjitha shpifje. Do të doja shumë që të mos flisnim për shpifjet e Flamur Nokës sepse ajo që ndodhi në Parlament është diçka që e panë të gjithë. Ky është vazhdimi i asaj që ka ndodhur në Parlament.
Nga dhuna fizike kanë kaluar në dhunën mediatike me shpifje. Këto janë 3 budadallëqe që vetëm një dikush që i ka ngelur ora tek politika e 1991 mund të vazhdojë dhe të ripërsërisi. Do të dëgjoni çdo ditë nga një shpifje të tillë.
Jo 3 po dhe 10-30-100. Nuk më ndalon dhuna, nuk më ndalojnë shpifjet. Unë këtë betejë e kam filluar e do ta çoj deri në fund. Po vidhen shqiptarët përditë. Nuk po vidhen vetëm nga mazhoranca, por po vidhen në bashkëpunim.
Kjo është kauza ime dhe për këtë do të flas. Janë shpifje, shpifje, shpifje. Janë totalisht shpifje. Unë i ftoj qytetarët të shikojnë shpifjet nga një anë dhe faktet nga ana tjetër.
Ai nuk e fsheh, është fakt që Flamur Noka thotë që skandali prej 1.3 miliard euro është një çështje fake, e thotë vetë, nuk është një thashethem apo akuzë që unë bëj. Janë fakte. Me kë është Flamur Noka është fakt.
Nuk ke nevojë ta vrasësh mendjen, e shikon sepse ta plasin në fytyrë”, u shpreh Shehaj.