Një fitore 0-3 në mitikun “Anfield” duket një rezultat i pabesueshëm, por Atalanta nuk vodhi asgjë, zhvilloi një ndeshje perfekte duke hedhur një hap të sigurt drejt gjysmëfinales së Europa League. Kjo ishte hera e dytë që Atalanta triumfon në “Anfield”, duke i dhënë fund rrugëtimin perfekt të Liverpool, me të kuqtë që nuk pësonin humbje në shtëpi prej 33 ndeshjesh radhazi. Të udhëhequr në prapavijë nga super Berat Gjimshiti dhe me një Scamacca “vrasës” përpara portës, ekipi i Gasperinit e kthehu në ftesë këtë mbrëmje. Liverpool kishte kontrollin e lojës, por bergamskët i ndëshkuan në minutën e 38-të.
Me fillimin e pjesës së dytë, Klopp bëri tre zëvendësime të menjëhershme, por ishte sërish Atalanta që gjeti rrugën e rrjetës me Scamacca-n që kompletoi “dopietën” e tij personale. Italianët nuk u mjaftuan me kaq, pasi në minutën e 83-të Pasalic dërgoi sërish topin në rrjetë duke i dhënë formë të plotë mrekullisë së Atalanta-s. Titullar dhe 90 minuta në fushë, në përfundim të sfidës, Berat Gjimshiti, kapiteni kuqezi u vlerësua me notën 6,5:
“Nga e majta në të djathtë, Gjimshiti nuk gabon në asnjë mbyllje të hapësirave ndaj kundërshtarit. Në shumë raste u tregua mjaft i zoti edhe me topin në këmbë duke dalë nga zona të ngushta pavarësisht presionit të kundërshtarëve. Ndoshta nuk merr të njëjtën vëmendje si shokët e skuadrës, por është në të njëjtën lartësi dhe shumë i vendosur. Një performacë bindëse”, shkruan Eurosport. Ndërsa sipas SofaScore, Gjimshiti vlerësohet me notën 7,5, madje është përfshirë në formacionin më të mirë të këtij raundi në Europa League.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co