Notat e skuadrave sipas “Panorama Sport”, si dhe formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së parë në elitën e futbollit shqiptar:
NOTAT E SKUADRAVE
VLLAZNIA 8.5 – Më mirë se një fitore në fushën e një rivali direkt si Partizani, nuk mund të kishte për Vllazninë. Trepikëshi ka vlera të mëdha në aspektin moral për shkodranët, të cilët kishin edhe mungesa me peshë. Ishte nisja që kuqeblutë do të donin, edhe pse loja nuk ishte brilante.
EGNATIA 8 – Kampionët bënë kampionët në fushë kundër Dinamos në “Elbasan Arena”. Egnatia mori atë që donte pa u lodhur shumë, duke administruar mjaft mirë ndeshjen hapëse dhe duke shfrytëzuar episodet. Ishte tregues i një ekipi me mendësi fituesi, që merr pikët edhe kur nuk luan mirë.
TEUTA 8 – Një fitore me përmbysje gjithmonë është e bukur dhe e karikon më shumë skuadrën. Teuta bëri vetëm detyrën në fakt kundër Bylisit në Durrës, por mënyra si shkoi ndeshja e bën fitoren e saj edhe më të rëndësishme.
ELBASANI 7 – I rikthyer në elitë pas shumë vitesh me pritshmëri të larta, Elbasani tregoi në Korçë se ka vërtet skuadrën për të pretenduar vendet e para. Skuadra e Bordin u gjen në disavantazh, por reagoi mirë dhe e meritoi pikët e fituar në fushën e Skënderbeut.
SKËNDERBEU 6.5 – U duk thjesht si një vazhdim i sezonit të shkuar loja e Skënderbeut në ndeshjen hapëse të kampionatit. Korçarët krijuan volum loje dhe raste për shënim, por nuk mundën ta mbyllnin ndeshjen dhe u ndëshkuan. Mund të merrnin më shumë se barazimi në atë sfidë.
TIRANA 6.5 – Si një skuadër e bërë rishtazi, Tirana tregoi një nivel të kënaqshëm në Laç, duke e dominuar kundërshtarin thuajse gjatë gjithë kohës. E vetmja gjë që i mungoi ishte finalizimi i aksioneve, çka bëri që të kthehej vetëm me një pikë nga ajo transfertë.
LAÇI 6 – Me organikë të cunguar, për shkak të disa largimeve dhe disa lojtarëve të ardhur së fundi në ekip, Laçi ia doli të përballonte me sukses Tiranën. Një pikë në start do ta ndihmojë skuadrën e Cungut për t’u rritur javë pas jave.
BYLIS 5.5 – Mund ta administronte më mirë avantazhin që pati fatin ta gjente në Durrës. U ndëshkua me dy gola në një takim, ku minimalisht mund të merrte një pikë të çmuar. Ekip i ri, që kërkon kohën e vet për t’u konsoliduar.
DINAMO 5 – Pas një pjese të parë të mirë, Dinamo u kthye në “identitet”. Në pjesën e dytë pësoi dy gola me shumë lehtësi dhe doli pa pikë në një 90- minutësh, ku kundërshtarit nuk iu desh të lodhej. Të kota modifikimet në formacion.
PARTIZANI 4.5 – Një reagim deri diku i mirë, kur mbeti me një lojtar më pak, por pa efikasitet para portës. Partizani zhgënjen në ndeshjen hapëse të kampionatit, duke dalë pa pikë para tifozëve të vet, Skuadrës i mungon diçka në metrat e fundit për të qenë në nivelin e pretendimeve të klubit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co