Bisedimet për armëpushimin dhe shkëmbimin të pengjeve në luftën në mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë pasi takimet e fundjavës në Kajro nuk arritën të zgjidhin të gjitha çështjet.
Një zyrtar amerikan tha se raundi i bisedimeve të nivelit të lartë për të arritur një marrëveshje përfundimtare për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh përfundoi të dielën pa marrëveshje përfundimtare.
Megjithatë u bë e ditur se bisedimet do të vazhdojnë në nivele më të ulëta në ditët në vijim për të adresuar dallimet e mbetura.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti rreth bisedimeve tha se “ekipet punuese” të nivelit më të ulët do të qëndrojnë në Kajro për t’u takuar me ndërmjetësit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti në përpjekje për të adresuar mosmarrëveshjet e mbetura.
Zyrtari i quajti bisedimet e fundit, të cilat filluan të enjten në Kajro dhe vazhduan deri të dielën, si “konstruktive” dhe tha se të gjitha palët po punonin për të “arritur një marrëveshje përfundimtare dhe të zbatueshme”.
Në bisedime morën pjesë drejtori i CIA-s, Ëilliam Burns dhe kreu i agjencisë së inteligjencës izraelite, Mossad, David Barnea.
Një delegacion i Hamasit u informua nga ndërmjetësit e Egjiptit dhe Katarit por nuk mori pjesë drejtpërdrejt në negociata.
Ky zhvillim erdhi pasi Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah shkëmbyen zjarr të dielën, por shmangën nisjen e një lufte të gjerë, ndërsa të dyja palët sinjalizuan se shkëmbimi më intensiv në muajt e fundit kishte përfunduar.
Hezbollahu pretendoi se kishte goditur një vend të inteligjencës ushtarake izraelite pranë Tel Avivit si pjesë e një sulmi me qindra raketa dhe dronë, ndërsa Izraeli pretendoi se sulmet që kreu ishin parandalues për të shmangur një sulm më të madh.
Asnjëra palë nuk ofroi prova për këto pretendime.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, tha se sulmi që ishte një përgjigje ndaj vrasjes së një komandanti të lartë militant në Bejrut muajin e kaluar nga Izraeli, ishte vonuar për të dhënë një mundësi bisedimeve për armëpushim në Gaza dhe që grupet e mbështetura nga Irani të diskutonin nëse duhet të sulmonin Izraelin të gjithë së bashku.
Izraeli dhe Hezbollahu thanë se kishin synuar vetëm objektiva ushtarake.
Hezbollahu është një aleat i ngushtë i Iranit, i cili gjithashtu ka kërcënuar të hakmerret kundër Izraelit për vrasjen e liderit të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran muajin e kaluar.
Izraeli nuk ka thënë nëse ishte i përfshirë.
Mediat shtetërore iraniane e konsideruan sulmin e Hezbollahut si një sukses, por nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët iranianë.
SHBA dhe ndërmjetësit e tjerë e shohin një armëpushim në Gaza si kyç për të shmangur një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Hezbollahu ka thënë se do të ndalojë sulmet e tij ndaj Izraelit nëse ka një armëpushim.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co