Trajneri i Italisë, Luçiano Spaleti, ka bërë të qartë se nuk ka pasur asnjë telefonatë mes tij dhe Simone Inzagit rreth deklaratave që tekniku i të kaltërve kishte bërë rreth homologut të Interit për çështjen e përgjimeve me ultrasit mafiozë.
“Mua nuk më ka marrë askush në telefon për çështje të tilla, unë di edhe si të mbyll telefonin”, ishin komentet e Spaletit që u raportua se kishin bezdisur Inzagin.
Mediat italiane dje raportuan për një bisedë telefonike mes dy trajnerëve që kishte vendosur paqen, por Spaleti sot bëri të qartë se diçka e tillë nuk kishte ndodhur.
“Unë nuk kam pse t’i sqaroj asgjë askujt, unë thjesht i jam përgjigjur një pyetje rreth mënyrës se si sillem unë në situata të veçanta”, tha Spaleti sot në konferencë për mediat.
Më pas, ai u ndal edhe në një tjetër temë delikate, atë të luftës në rripin e Gazës dhe ofensivës izraelite ndaj palestinezëve.
“Shkojmë të luajmë ndeshjen me shpresën që të bindim gjithmonë e më shumë njerëz, pasi mendoj se ka shumë izraelitë që nuk e duan luftën dhe ne duhet të bindim gjithmonë më shumë që kjo është diçka që duhet të përfundojë”, tha Spaleti.
PANORAMASPORT.AL