Drejtori teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, ka dhënë një intervistë për “Sportitalia”, ku është ndalur te ecuria e Shqipërisë, rritja e futbollit në vendin tonë, si dhe ajo që pritet në Europian. Ai ka shpjeguar se Shqipëria synon që të bëhet surpriza e këtij edicioni, edhe falë mbështetjes së shumë tifozëve që pritet të pushtojnë Gjermaninë.
“Pse u rrit futbolli shqiptar? Kemi një president shumë aktiv, i cili drejton, krijon, sugjeron, këshillon dhe shoqëron cilindo prej nesh drejt objektivit. Përveç kësaj, ka një vizion të gjerë për të ardhmen, që i mundëson të programojë me urtësi dhe largpamësi.
Trajneri ynë ka ditur që në kohë të shkurtër të krijojë një filozofi loje, i aftë të përdorë në maksimum aftësinë e çdo lojtari. Për këtë arsye do të jemi një skuadër e vështirë për t’u mposhtur dhe nëse do të jemi cinikë, do të mund të shpresojmë në një rezultat të rëndësishëm. Jo vetëm për turneun në vetvete, por edhe për të ndihmuar futbollin në vendin tonë.
Objektivi ynë kryesor është të jemi surpriza e këtij kompeticioni, të ndërgjegjshëm që kemi lojtarë me mundësi rritjeje të cilët aktualisht po arrijnë maturinë e tyre futbollistike. Përtej kësaj, eksperienca e disa veteranëve do të jetë ndërlidhja mes taktikës dhe guximit.
Pika jonë e forcës? Preferoj të mbaj këtë përgjigje brenda dhomave të zhveshjeve. (qesh)
Avantazhi më i rëndësishëm do të jenë emigrantët e shumtë shqiptarë, dhe në Gjermani janë me të vërtetë shumë, ashtu siç do të jenë edhe më shumë ata që do të vijnë të mbështetin skuadrën tonë nga çdo vend i botës, duke sjellë pasion dhe ndjenjë përkatësie. Tribunat do të jenë padyshim të ngjyrosura me shumë të kuqe dhe të zezë”, u shpreh Pea.
PANORAMASPORT.AL
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co