Izraeli ka përdorur forcë disproporcionale kundër civilëve dhe ka përdorur urinë si një “armë” në sulmet e tij në Gaza që nga tetori i kaluar, tha një raportues special i OKB-së.
Izraeli në mënyrë të qartë dhe sistematike po pengon aksesin në ushqim për të gjithë civilët në Gaza, tha Michael Fakhri.
“Ekipet humanitare të OKB-së raportuan se arritja tek të gjithë ata që kanë nevojë për ushqim dhe ujë në Gaza është pothuajse e pamundur për shkak të pengimit të ndihmës humanitare nga Izraeli,” shtoi ai.
Ai theksoi se bllokada e ushqimit dhe ujit që hyn në Gaza nga Izraeli ka çuar në zi buke në rajon.
Të dhënat e fundit të OKB-së tregojnë se rreth një e katërta e popullsisë së Gazës vuan nga uria, ndërsa pjesa tjetër është e kequshqyer, vuri në dukje Fakhri.
Fakhri tha se nuk ka asnjë zonë tjetër konflikti ku qasja në ujë të pastër dhe ushqim është kaq e vështirë.
“Izraeli po shkatërron sistemin ushqimor të Gazës dhe po përdor ushqimin si armë kundër popullit palestinez,” tha ai.
“Ne e dimë se 2.2 milionë njerëz në Gaza janë të uritur. Ne kurrë nuk kemi parë kaq shumë njerëz të privuar plotësisht nga ushqimi më parë,” paralajmëroi Fakhri.
Fakhri tha se sulmet katërmujore të Izraelit kanë shënjestruar qëllimisht infrastrukturën civile, spitalet dhe furrat e bukës.
Fakhri nënvizoi se pengimi i Izraelit për aksesin e banorëve të Gazës në ushqim është një “krim lufte”.
“Izraeli e ka bërë Gazën të pabanueshme. Ky është padyshim një krim lufte sepse po ndodhin sulme pa dallim dhe joproporcionale ndaj objektivave civile,” tha ai.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të 7 tetorit nga Hamasi në të cilin Tel Avivi thotë se u vranë rreth 1200 izraelitë.
Të paktën 27,585 palestinezë janë vrarë dhe 66,978 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, tha të hënën Ministria e Shëndetësisë në enklavë.
Ofensiva izraelite ka lënë 85% të popullsisë së Gazës të zhvendosur brenda në mes të mungesës akute të ushqimit , ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co