Një sasi prej 3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis është sekuestruar nga policia, ndërsa në pranga përfunduan dy persona.
Operacioni policor i koduar “Ndërmjetësi”, përfundoi me arrestimin e Aldo Gjonit dhe Altin Shkurtit.
Njoftimi:
Krujë/Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, ndjekur me metoda speciale të hetimit, operacioni policor i koduar “Ndërmjetësi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Krujë. Sekuestrohen 3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar lëndën narkotike, me qëllim shitjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërmjetësi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Hida”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Sh., 39 vjeç, dhe A. Gj., 30 vjeç, të dy banues në Selitë, Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta dy shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar me automjet, një thes brenda të cilit kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë 3 kg.
Lënda narkotike, së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co