Orientalë dhe oksidentalë

orientale dhe oksidentale





































NGA ENVER ROBELLI enver-robelli-3093_1479745830-7137989

1. Të jesh oriental shqiptar në kuptimin negativ, është puna më e lehtë e mundshme: duhet vetëm të merresh me të kaluarën. Të numërosh kryevezirë, vezirë, sadriazemë e guvernatorë me origjinë shqiptare që kanë drejtuar punët e Perandorisë Osmane. Mund të numërohen edhe disa ura, mejtepe, xhami e hamame që ka lënë Perandoria Osmane në Ballkan. Mund të përmendet edhe rrethimi i Vjenës nga trupat osmane më 1683 – me pjesëmarrjen e disa ushtarëve shqiptarë. Apo themelimi i klubit futbollistik Galatasaray nga i biri i Sami Frashërit. Nuk duhet shkathtësi intelektuale për të numëruar këto vaki të historisë. Mjafton dembelia mendore dhe synimi për ta bërë të shkuarën të tashme përmes simboleve dhe çirrmave fetare nëpër fusha e ara. Cila është dobia konkrete nga këto veprime simbolike dhe propagandistike? Zero! Është një betejë që rrit veset dhe mbyt virtytet. Kush e luan këtë valle, është një tymues.

2. Të jesh oksidental shqiptar është detyrë më e vështirë, por gjithsesi më e dobishme për shoqërinë. Si i tillë nuk tenton ta bësh të kaluarën të tashme, nuk përpiqesh që kontinentin ta shohësh me sytë e armiqve të tij, por synon që Europën dhe Perëndimin në përgjithësi t’i shohësh si modele, që duhet përmbrendësuar me krejt vlerat e tyre: civilizimin, pluralitetin e trashëgimive, përparimin, të arriturat teknike, etikën e punës, racionalizmin, respektin si ndaj të gjitha feve po aq edhe ndaj ateizmit, të drejtat e njeriut si vlera universale, barazinë mes njerëzve. Nëse tymuesi oriental prodhon mjegull, shqiptari properëndimor duhet të marrë rolin e antitymuesit.

Ka shqiptarë që shtiren sikur janë (pro)perëndimorë, por në thelb nuk dallojnë nga tymuesi oriental, sepse ngjashëm kanë mbetur të kurthuar në të kaluarën, të cilën e shohin vetëm si madhështore për aq sa është antiorientale në totalitetin e saj. Stërlashtësia e propaganduar me penetrancë, “origjina e pastër”, përfytyrimet përjashtuese, ritualet qesharake sipas të cilave brenda 5 minutave shndërrohesh në europian perëndimor vetëm sa e mjegullojnë çdo orvatje emancipuese të shoqërisë shqiptare.

Sipas Ardian Klosit, “ka një identitet tjetër europian, një identitet të sotëm që mund ta marrim në shqyrtim pa u gabuar. Ky identitet ka të bëjë me respektimin e demokracisë dhe lirive të fituara në shekuj, me qytetarinë, të jetuarit në bashkësi, me respektimin e ndryshueshmërisë së tjetrit, me respektimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore, me ruajtjen e natyrës. Ky po që është një identitet europian, ndaj të cilit jemi mjerisht ende larg. Dhe thurja në këtë identitet nuk do të thotë, për fat të mirë, dorëheqje nga identitetet e mëparshme, prej atyre që janë vërtet të thella dhe vërtet të vlera për ne shqiptarët”.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →