Njerëzit në Gazën veriore po detyrohen të mbijetojnë mesatarisht me vetëm 245 kalori në ditë, tha OJQ-ja ndërkombëtare Oxfam, transmeton Anadolu. Marrja mesatare e kalorive përfaqëson më pak se 12 për qind të nevojave mesatare ditore të kalorive të një të rrituri – duke mos marrë parasysh aksesin në ushqimin e duhur.
“Për ato pak fruta dhe perime ende të disponueshme, rritjet ekstreme të çmimeve për shkak të mungesës i kanë vënë ato jashtë mundësive për shumicën e njerëzve. Produkte të specializuara ushqimore dhe qendra për trajtimin e fëmijëve të kequshqyer janë gjithashtu të vështira ose të pamundura për t’u gjetur”, thuhet në një deklaratë të organizatës.
Oxfam tha se fëmijët tashmë po vdesin nga uria dhe kequshqyerja.
“Para luftës ishim shëndoshë e mirë dhe kishim trupa të fortë. Tani, duke parë fëmijët e mi dhe veten time, ne kemi humbur kaq shumë peshë pasi nuk hamë ndonjë ushqim të duhur, saqë po përpiqemi të hamë çdo gjë që gjejmë – bimë të egra të ngrënshme ose barishte çdo ditë vetëm për të mbijetuar”, ka thënë për Oxfam një nënë e bllokuar në Gazën veriore.
Rreth 300.000 njerëz vlerësohet të jenë ende të bllokuar në zonë.
OJQ-ja ndërkombëtare thekson se kjo uri i bën njerëzit më të prekshëm ndaj sëmundjeve. Në të njëjtën kohë, ndikimet e urisë përkeqësohen nga “shkatërrimi pothuajse i plotë i infrastrukturës civile” nga ana e Izraelit, si spitalet dhe shërbimet e ujit dhe kanalizimeve në Gaza.
“Izraeli po bën zgjedhje të qëllimshme për të vrarë civilët nga uria”, ka thënë Drejtori Ekzekutiv i Oxfam International, Amitabh Behar.
“Imagjinoni se si është, jo vetëm të përpiqeni të mbijetoni me 245 kalori në ditë, por gjithashtu të shikoni fëmijët ose të afërmit tuaj të moshuar duke bërë të njëjtën gjë. Të gjitha këto teksa janë të zhvendosur, me pak ose aspak akses në ujë të pastër ose tualet, duke ditur se shumica e ndihmës mjekësore ka shkuar dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të dronëve dhe bombave”, ka theksuar Behar.
Duke analizuar të dhënat e përdorura në analizën e fundit të Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) për Rripin e Gazës, Oxfam tha se dërgesat totale të ushqimit që nga tetori i kaluar për gjithë popullsinë e Gazës, rreth 2,2 milionë njerëz, sigurojnë vetëm 41 për qind të kalorive ditore të nevojshme për person.
Grupi theksoi gjetjet e IPC-së se zia e bukës është e pashmangshme në Gazën veriore dhe se pothuajse e gjithë popullata tani po përjeton uri ekstreme; me 1,1 milion njerëz që përjetojnë pasiguri ushqimore katastrofike.
“Izraeli po injoron urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të parandaluar gjenocidin dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vetëm javën e kaluar GJND-ja urdhëroi masa të reja të përkohshme, duke deklaruar se zia e bukës nuk po afrohet më, por ‘po futet’ në Gaza”, ka thënë Behar.
Oxfam tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalojë furnizimin me armë për Izraelin dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm.
“Vetëm atëherë mund ta ndalojmë këtë masakër të tmerrshme për 2,2 milionë njerëz që kanë duruar gjashtë muaj vuajtje. Izraeli nuk mund ta shndërrojë më urinë në armë”, tha zyrtari i Oxfam./AA/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co