KORÇË- Çdo shqetësim apo shantazh do të trajtohet me shpejtësi, falë kontakteve që janë vendosur me kompaninë TikTok, dhe kapaciteteve që Policia ka ngritur për trajtimin e dhunës online. Ministri i Brendshëm Taulant Balla, bëri prezent këto masa, në vizitën në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” të qytetit të Korçës ku u informua gjitashtu rreth zbatimit të masave për Paketën e Sigurisë në shkolla.
Ai bisedoi me një përfaqësi nga trupa e arsimtarëve dhe nxënësve të kësaj shkolle. Ndër të tjera, në fjalën e tij Balla theksoi se paketa e sigurisë, në radhë të parë synon që t’u japë përgjigje shqetësimeve të prindërve për fëmijët e tyre në shkolla.
Ministri nënvizoi se në kuadër të luftës kundër dhunës online, janë vendosur kontakte me platformën TikTok për të frenuar këtë fenomen.
Në fjalën e tij, Ministi u shpreh se “e di shumë mirë që jo vetëm kjo shkollë, por të gjitha shkollat e Korçës janë të sigurta dhe këtu natyrshëm ka një meritë të veçantë gjithë kolektivi i mësuesve, por edhe të gjithë institucionet e tjera. Nga informacioni që kam, edhe Policia ka bërë detyrën e vet në kuadër të zbatimit të planit të masave për garantimin e paketës së sigurisë në shkolla. Po ashtu, një meritë kanë edhe nxënësit, këta djem e vajza që janë këtu të cilët e kanë mirëkuptuar kërkesën tonë. Mos harroni që paketa e sigurisë në shkolla synon t’i japë zgjidhje e përgjigje shumë pyetjeve e shqetësimeve që kanë prindërit”.
Duke folur rreth fenomeneve negative që mund të prekin të rinj, Balla tha se sporti është përgjigjja më e mirë ndaj çdo vesi e varësie.
“Një merak që unë e kam, – tha Ministri, – dhe pjesë e Paketës së Sigurisë në shkolla, është detyra që duhet të bëjë ISHP në luftën kundër përdorimit të duhanit. Ligji e ndalon përdorimin e duhanit nga ana e çdo qytetari nën 18 vjeç. Po ashtu edhe përdorimin e alkoolit për çdo qytetar nën 18 vjeç. Përgjigjja më e mirë për duhanin, alkoolin, lëndët narkotike është sporti. E vërteta është që “Skënderbeu”, në të gjitha fushat gjithmonë ka qenë një ekip i shkëlqyer, kështu që të synojmë të kemi sa më shumë sportistë të talentuar në atletikë, basketboll, volejboll, futboll”.
Duke folur rreth problematikave të ndryshme që hasen në shkolla, ai tha se “jo vetëm lufta kundër përdorimit të lëndëve narkotike, që unë besoj se Korça, për shkak të një traditë të shkëlqyer që ka, sa i përket sporteve, kulturës, artit, këta djem e vajza nuk kanë kohë të merren me këtë fenomen negativ të shoqërisë. Po ashtu, edhe kundër disa fenomeneve të tjera që janë bërë shqetësuese; bullizmi, është po ashtu një fenomen ndaj të cilit duhet të reagojmë të gjithë së bashku në solidaritet. Dhuna me bazë gjinore, ku shpeshherë vajzat ndihen të dhunuara nga moshatarët djem, ose nga ajo që ndodh në rrjetet sociale, që është po ashtu një problematikë, të cilën ne po mundohemi ta kurojmë. Kemi vendosur një kontakt me drejtuesit e kompanisë TikTok për të mundësuar që sa herë të marrim ankesa për shantazhim, për dhunë, nga ana juaj, falë përkujdesjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe të një Departamenti të posaçëm, që ai ka për krimet kibernetike, me disa djem e vajza të talentuar, ne të mund të zgjidhim e adresojmë çdo lloj problematike.
Kemi miratuar në qeveri gjatë kësaj jave “Këshillin Vendor të Sigurisë Publike” në kuadër të ligjit për prefektin, ku prefekti do të marrë një peshë edhe më të madhe jo vetëm në drejtim ndërinstitucional të gjitha punët që duhen në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, por për të koordinuar edhe me drejtorët e shkollave dhe drejtorin e policisë, të gjitha punët që duhen për të garantuar shkolla të sigurta. Problemi ynë nuk është shkolla në fakt, është përtej oborrit, rruga ku fëmijët vijnë në shkollë, siguria rrugore, por janë edhe lagjet, komunitetet aty ku fëmijët kalojnë një pjesë të madhe të kohës jashtë shkollës, ku na duhet të garantojmë sa më shumë siguri publike dhe luftë kundër fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike,” u shpreh Ministri Balla, në takimin ku morën pjesë Prefekti i qarkut, Kryetari i Bashkisë Korçë, drejtues të Policisë dhe shkollës.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co