Pandeli Majko shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit

pandeli majko shpallet qytetar nderi i rahovecit
pandeli majko shpallet qytetar nderi i rahovecit

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smaj Latifi, në Ditën e Çlirimit e ka dekoruar ish-Kryeministin e Shqipërisë Pandeli Majko “Qytetar Nderi”.

Latifi ka thënë se sa ka qenë Majko në qeveri ka ndihmuar Kosovën ushtarakisht pa ndalime dhe pa asnjë tendencë.

Postimi i plotë:

Rahoveci, sot, kremton një ndër ditët më të gëzueshme në historinë tonë më të re, Ditën e Çlirimit të komunës nga pushtuesit gjakatar serbë.

Populli i kësaj ane mbështeti fuqishëm dhe me të gjitha mjetet luftën e lavdishme të UÇK-së, mirëpo ne humbëm shumë njerëz, gjaku i të cilëve forcon themelet e lirisë që po e gëzojmë sot.

Ishte fat historik për shqiptarët që në krye të qeverisë shqiptare të jetë një personalitet karizmatik dhe i guximshëm, i cili nuk ngurroi t’i kundërvihej çdo tendence për ndalimin e mbështetjes ushtarake të

NATO-s për Kosovën. Duke qenë në krye të qeverisë shqiptare z. Pandeli Majko, i mblodhi krerët e partive politike pas Masakrës së Reçakut dhe u kumtoi atyre:

Kur serbët na vrasin, ne duhet të bashkohemi!

Duke qenë faktor unifikues në një periudhë të trazuar, Pandeli Majko dha kontribut real për të bashkuar faktorin shqiptar, duke shmangur edhe situata konflikti ndërshqiptar, që mund t’i kishin kushtuar rëndë kauzës së çlirimit të Kosovës.

Njohësit e rrethanave politike të asaj kohe e kanë cilësuar si “të vetmin politikan normal”. Ai me vendosmëri kërkoi nga faktori ndërkombëtar dhe konkretisht nga NATO, që të ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e gjenocidit dhe të spastrimit etnik të Kosovës.

Pas dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e lashta stërgjyshore, kriza humanitare e Kosovës, mori një kthesë vendimtare pozitive, pas deklaratës së Pandeli Majkos, se Shqipëria mund të presë çdo të dëbuar nga Kosova.

Ka dhe një fakt, që përbën anën e shkëlqyer të shtetit shqiptar dhe të qeverisë së asaj kohe. Kryeministri Pandeli Majko dhe të gjithë ministrat e tij, kanë nënshkruar një dokument sekret në qeveri, ku ushtria shqiptare merrte përsipër zyrtarisht furnizimin e UÇK-së me armë.

Në këtë mënyrë, Kosova mbetet çështje e zemrës për atdhetarin Pandeli Majko.

Vëllai ynë, Pandeli Majko, e ka bërë të tijën kauzën e Kosovës. Ngado që vete dhe me këdo që takohet, ai e ka Kosovën në krye të agjendës së tij politike, duke potencuar se bashkimi i natyrshëm i shqiptarëve mund të bëhet, mirëpo duhet pasur parasysh një fakt (citoj): “Si mund të integrohemi te të tjerët kur nuk jemi të aftë ta bëjmë të ndodhë me njëri-tjetrin?!”

Janë përplot arsye që na kanë shtyrë që t’ia propozojmë Kuvendit të Komunës së Rahovecit, dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, këtij personaliteti përmasash kombëtare.

Falënderoj secilin anëtar të Kuvendit që e mbështetën këtë propozim dhe që mundësuan dekorimin e z. Pandeli Majko me këtë titull nderi!

Ky dekorim nuk është vetëm për ish-kryeministrin Pandeli Majko, por për të gjithë ata që e mbështetën në këtë kauzë dhe që kontribuuan çlirimin e një pjese të trojeve shqiptare.

Duke e uruar zotin Pandeli Majko për qëndrimin e tij stoik dhe frymëzues, e përgëzoj për këtë dekoratë nderi!

Gëzuar Festën e Çlirimit të Rahovecit!

Rroftë lufta jonë për liri dhe bashkim!

Rroftë UÇK-ja!

Rroftë kombi shqiptar!

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →