Një bombë e pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore shpërtheu në aeroportin Miyazaki në Japoninë jugperëndimore të mërkurën, duke lënë një krater të madh në rrugë lidhëse dhe duke ndërprerë funksionimin në objekt.
Shpërthimi ndodhi herët në mëngjes, kur aeroporti nuk ishte shumë i ngarkuar. Fatmirësisht asnjë avion nuk po kalonte në vendin ku ndodhej bomba.
Shpërthimi la një krater të madh në anën e një prej rrugëve lidhëse të aeroportit. Incidenti shkaktoi mbylljen e objektit, pasi më shumë se 70 fluturime u ndaluan pas shpërthimit.
Aeroporti pritet të funksionojë të enjten pas mbushjes së gropës dhe riparimit të sipërfaqes së rrugës lidhëse.
Shpërthimi u shkaktua nga një bombë amerikane 250 kilogramëshe, e cila kishte mbetur e varrosur nën aeroport që nga Lufta e Dytë Botërore, besojnë Forcat Japoneze të Vetëmbrojtjes dhe policia, sipas mediave lokale. Aktualisht autoritetet po hetojnë shkaqet e shpërthimit të papritur.
Aeroporti Miyazaki u ndërtua fillimisht si një aeroport ushtarak në vitin 1943 në një bazë të Marinës Imperial Japoneze. Ai shërbeu si një pikë kryesore për pilotët famëkeq kamikazë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co