Paralajmërimet e demokratëve për Donald Trump, analiza e VOA: A ka fuqinë ta shkatërrojë demokracinë një president amerikan?

paralajmerimet e demokrateve per donald trump analiza e voa a ka fuqine ta shkaterroje demokracine nje president amerikan





































Demokratët kanë paralajmëruar se ish-Presidenti Donald Trump do të shkatërrojë institucionet demokratike, nëse rizgjidhet në postin më të lartë në nëntor. Por ish-Presidenti Trump ka thënë se demokracia do të marrë fund nëse ai nuk rizgjidhet këtë vit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar shqyrton nëse një president amerikan ka vërtet fuqinë ta shkatërrojë demokracinë.

shba shtepia e bardhe

Kushtetuta është dokumenti themeltar i Amerikës. Ajo përkufizon tre degë të qeverisjes: ekzekutivin, pjesë e të cilit është presidenca; legjislativin, me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin; si dhe gjyqësorin, me Gjykatën e Lartë dhe gjykatat e tjera. Secila nga degët është konceptuar për të balancuar dy të tjerat. Ndarja e pushteteve është në thelbin e demokracisë amerikane.

“Jemi disi në territor të pashkelur për shkak se prezumohet se Presidenti Trump ka dëshirën, nëse do të rizgjidhet, që të eksplorojë kufij të rinj, madje edhe atje ku nuk kanë arritur presidentët e mëparshëm”, thotë profesori Ronald Chen, nga Universiteti Rutgers.

“Dua të jem diktator vetëm për një ditë dhe do të jem diktator për një ditë”, deklaroi ish-Presidenti Trump.

Ai ka thënë se nëse rizgjidhet, nuk do të jetë diktator përtej ditës së parë. Por çfarë do të ndodhte nëse një president do të përpiqej në të ardhmen t’i tejkalonte kompetencat?

“Nëse aludimi është se njëra prej degëve thjesht do ta lërë mënjanë ndarjen e pushteteve, sinqerisht mendoj se nuk është përcaktuar ende nëse sistemi ynë është aq i fortë sa ta përballojë këtë”, thotë profesori Chen.

“Ai ka thënë haptazi se do të jetë diktator në ditën e parë”, tha Nënpresidentja Kamala Harris.

Një ndër mesazhet kryesore të kandidates së mundshme demokrate Kamala Harris është se ish-Presidenti Trump është një rrezik për demokracinë. Demokratët vënë në dukje mospranimin prej tij të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, si dhe sulmin që pasoi më 6 janar 2021 ndaj Kapitolit.

“Beteja jonë është për lirinë. Në mbarë vendin shohim sulm frontal ndaj lirive dhe të drejtave të fituara me shumë mund”, tha Nënpresidentja Harris.

“Vazhdojnë të thonë se jam rrezik për demokracinë. Unë pyes se çfarë i kam bërë demokracisë? Javën e kaluar mora plumbin për demokracinë”, tha ish-Presidenti Trump.

Votuesit nuk e pranojnë domosdoshmërisht argumentin se demokracia amerikane është në rrezik.

“Po flisja me dikë pak javë më parë, që më tha se ‘dëgjon gjithë këto gjëra se Donald Trump-i përpiqet të rrëzojë demokracinë, por ai nuk e bëri këtë’,” thotë Chris Edelson, nga Univesiteti Amerikan.

“Ekziston ende ndjesia ndër disa prej votuesve të pavarur se sistemi funksionoi. U bë transferimi i pushtetit. Pra, jemi në rregull”, thotë David Ramadan, nga Universiteti George Mason.

Nuk është e lehtë për një udhëheqës populist të shkatërrojë demokracinë, thotë Kurt Weyland, i cili studion demokracinë dhe regjimet autoritare.

“Ndodh vetëm nëse ekziston një dobësi e vërtetë institucionale dhe një mundësi shumë e veçantë për shkak të rrethanave. Pra, argumenti është se në rastin e Shteteve të Bashkuara nuk vlejnë këto lloj rrethanash”, thotë ai.

Zoti Weyland thotë se janë një seri faktorësh që e kufizojnë Presidentin nga marrja e plotë e pushtetit, si njerëzit e duhur në funksionet publike. Ai përmend rastin e Sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger, i cili refuzoi të ndihmojë për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, kur ish-Presidenti Trump i kërkoi të identifikojë vota të mëtejshme në favor të tij.

“Demokracia amerikane është e fortë dhe rezistente. Dhe populli amerikan është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe zyrtarët amerikanë janë plotësisht të përkushtuar ndaj detyrave të tyre institucionale”, thotë zoti Weyland.

Ai shton se udhëheqësit politikë kanë mundësi më të larta për ta shkatërruar demokracinë nëse kanë mbështetje masive nga populli, me nivele mbështetjeje mbi 70 për qind. Niveli më i lartë i mbështetjes për ish-Presidentin Trump ka qenë në 49 për qind. Për Presidentin Biden ka qenë në 57 për qind./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →