Radio Evropa e Lirë: A po thellohet çarja mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, meqenëse nuk është hera e parë që ndërkombëtarët po reagojnë në mënyrë të tillë? Para disa ditësh kishim edhe reagimin lidhur me hapjen e urës. Ka pasur reagime të fuqishme lidhur edhe me ndalimin e dinarit, mbylljen e institucioneve të ndryshme të Serbisë në Kosovë.
Lulzim Peci: Po, çarja është duke u thelluar, sepse partneriteti nuk mund të ndërtohet nëse nuk konsultohen palët, të cilat kanë përgjegjësi të sigurisë në veri të vendit. Edhe çarja, mendoj që tashmë është thelluar shumë, sepse bashkësia ndërkombëtare ka përpara një partner të vetin. Si e shikon ajo në këtë mënyrë një partner, i cili nuk është i parashikueshëm, dhe i cili ndërmerr veprime pa konsultime paraprake në këtë pjesë të vendit, duke i pasur parasysh përgjegjësitë në fushën e sigurisë. Pra, ta kemi parasysh se për çka jemi duke folur. Nuk jemi duke folur vetëm për zbatim të ligjit, po jemi duke folur edhe për implikimet e sigurisë në atë pjesë të vendit.
Radio Evropa e Lirë: Por, megjithatë autoritetet e Kosovës i arsyetojnë këto veprime të tyre në këto institucione, të cilat janë mbyllur, duke thënë se kanë punuar ilegalisht në Kosovë dhe thirren në ligjshmëri.
Lulzim Peci: Po, krejt në rregull, po e kemi ligjshmërinë edhe i kemi domethënë palët, të cilat kanë mandat të sigurisë në pjesën veriore të vendit. Edhe, kur vjen puna te zbatimi i ligjit, po krejt në rregull, nuk ka dyshim për atë, mirëpo kjo duhet të bëhet në konsultim edhe në koordinim me ata, të cilët kanë përgjegjësi të sigurisë në atë pjesë të vendit.
Mos të harrojmë që Kosova nuk e ka sovranitetin e plotë edhe derisa KFOR-i e ka këtë mandat, të cilin e ka sot, dihet se si janë gjërat. Edhe këtu qëndron problemi, nuk qëndron problemi te zbatimi i ligjit. Problemi qëndron në atë se a jemi partnerë të besueshëm apo jo? Këtu qëndron, këtu është çështja kyç e këtij problemi.
Radio Evropa e Lirë: Nga ana tjetër, edhe pse Bashkimi Evropian i ka vënë sanksione Kosovës, SHBA-ja, pos me deklarata, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim sanksionues, a mund të pritet diçka që mund të vendosë SHBA-ja në këtë drejtim?
Lulzim Peci: Po sanksionimin më të madh që na e ka bërë SHBA-ja, është që Kosovës ia ka tërhequr përkrahjen që e ka pasur përpara. Sanksion më të madh nuk ka.
Radio Evropa e Lirë: Si mendoni, cilën përkrahje?
Lulzim Peci: Po shiko, Kosova më nuk e ka përkrahje në fushën ndërkombëtare, e cilën e ka pasur përpara prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova i është lënë vetvetes dhe ajo tani është vetëm duke u trajtuar në domenin e menaxhimit të konfliktit. Edhe asgjë më shumë.
Radio Evropa e Lirë: Nga është duke shkuar Kosova?
Lulzim Peci: Kosova është duke shkuar në drejtim të një përplasjeje të madhe me bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, Kosova nuk ka kapacitet që ta dëmtojë bashkësinë ndërkombëtare. Mund ta dëmtojë vetëm vetveten.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co