Autoritetet gjermane kanë njoftuar se kanë parandaluar një komplot për të sulmuar ambasadën izraelite në Berlin.
Sipas mediave të huaja, i dyshuari, i cili është identifikuar si Omar A., dhe akuzohet për planifikimin e një sulmi duke përdorur armë zjarri kundër delegacionit izraelit në kryeqytetin gjerman, thanë prokurorët federalë, 24 orë pas arrestimit të të riut.
28-vjeçari libianez thuhet se u arrestua në shtëpinë e tij në Bernau, një komunitet në Berlin, gjatë një operacioni të madh policor me ndihmën e forcave elitare, ku janë gjetur disa armë.
“Shërbimet tona të sigurisë vepruan në kohë për të parandaluar planet e mundshme për të sulmuar ambasadën izraelite në Berlin,” tha Ministrja e Brendshme Nancy Pfizer në një deklaratë për shtyp.
Omar A. akuzohet dhe për lidhje me Shtetin Islamik dhe kishte kontakte me një anëtar të ISIS-it përmes një shërbimi mesazhesh për të planifikuar sulmin e tij.
Sipas gazetës Bild, autoritetet gjermane u mobilizuan pas marrjes së informacionit nga agjencitë e huaja të inteligjencës.
Si pjesë e hetimit, autoritetet kryen kontrolle në një apartament të dytë më 19 tetor, në shtetin e Nordrhein-Westphalia, sipas prokurorisë.
Sipas njoftimeve të shtypit, është shtëpia e xhaxhait të të dyshuarit, në të cilën ai dyshohet se ka dashur të fshihet pas sulmit, para se të largohej nga territori gjerman.