Doug Pagitt, një pastor ungjillor me bazë në Minneapolis, parashikoi në një artikull se zëvendëspresidentja Kamala Harris ka potencialin të shkatërrojë kontrollin e ish-presidentit Donald Trump mbi votuesit e bardhë ungjillorë.
Pagitt, drejtor ekzekutiv i Vote Common Good, në artikullin e tij me titull “Si i kam bindur të krishterët se nuk duhet të votojnë republikanët”, “pretendon se Harris mund të marrë nivelin më të lartë të mbështetjes ungjillore që kur ish-presidenti Jimmy Carter mblodhi afërsisht gjysmën e votave ungjillore në 1976”.
“Nëse bashkohemi dhe nuk ia lëmë këta njerëz Trump-it, mendoj se është e mundur që Harris të marrë nivelin më të lartë të mbështetjes ungjillore që kur Jimmy Carter mori afërsisht gjysmën e votave ungjillore në 1976”, shkroi Pagitt.
Sipas tij, “nëse kjo do të ndodhte, do të thyente shpinën e lëvizjes MAGA”.
Megjithatë, të dhënat historike të votimit sugjerojnë se një ndryshim kaq dramatik do të ishte i paprecedentë në historinë e fundit zgjedhore.
Sipas Qendrës Kërkimore Pew, të krishterët ungjillorë të bardhë kanë mbështetur vazhdimisht kandidatët republikanë me diferencë të madhe në zgjedhjet e fundit presidenciale. Në vitin 2016, 80 për qind e të krishterëve të bardhë, të rilindur/ungjillorë të vetëidentifikuar votuan për Trump, ndërsa vetëm 16 për qind votuan për Hillary Clinton.
Organizata e Pagitt-it, Vote Common Good, fokusohet në inkurajimin e votuesve fetarë, veçanërisht ungjillorët dhe katolikët, që të kenë përparësi të mirën e përbashkët mbi besnikërinë partiake kur hedhin votat e tyre. Përpjekjet e grupit në shtetet kyçe të fushëbetejës si Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania synojnë të ndikojnë mjaft votues fetarë të lëvizshëm për të kthyer peshoren në favor të Harris.
Optimizmi i pastorit buron pjesërisht nga ajo që ai e sheh si një zhgënjim në rritje midis disa votuesve ungjillorë me sjelljen dhe politikat e Trump. Një sondazh i “Vote Common Good” i porositur në vitin 2020 tregoi se në shtetet e luhatshme mungesa e dashamirësisë së Trump po i largonte votuesit ungjillorë dhe katolikë në një numër mjaft të madh për të ndikuar potencialisht në rezultatin e zgjedhjeve.
“Votuesit zakonisht e kuptojnë se mënyra se si votojnë reflekton mbi ta”, shkroi Pagitt, duke shtuar se “dhe atyre votuesve fetarë që u larguan nga Trump nuk u pëlqeu mënyra se si u reflektua keqdashja e tij mbi ta, nëse ishte futja e fëmijëve emigrantë në kafaze, mënyra se si ai i trajton gratë, mënyra sesi ai trajton shtypin, mënyra se si trajton pothuajse të gjithë ata që pati në administratën e tij dhe mënyrën se si e trajton vetë demokracinë”.
Ndërsa disa lëvizje në margjina janë të mundshme, të dhënat historike sugjerojnë se ndryshimet dramatike në blloqet e votimit fetar janë të rralla. Analiza e Qendrës Kërkimore Pew për sondazhet dalëse të vitit 2016 tregoi pak ndryshim në rreshtimet politike të grupeve fetare në SHBA krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co