Partizani udhëton drejt Maltës me objektivin për të marrë një fitore kualifikimi ndaj Marsaxlokk, që do sillte kalimin e nënkampionëve të Shqipërisë në raundin e dytë. Pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena” gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit. Të enjten në “Centenary Stadium”, Ta’Qali (19:00). Skuadra e Orges Shehit konsiderohej favorite para ndeshjes së parë, por paraqitja e maltezëve i ka ndërlikuar disi gjërat. Ndonëse të kuqtë mbetën të avantazhuar për të avancuar më tej.
Gjelbrim Taipi dhe Saliu Sembene po vuajnë shqetësime fizike, çka i kushtëzon zgjedhjet e Shehit për ndeshjen e kthimit. Megjithatë, alternativat janë të bollshme dhe “Demat” janë besimplotë se mund të marrin një fitore të rëndësishme. Kualifikimi do të kishte një vlerë të madhe sa u takon financave, pasi do të sillte të ardhura të konsiderueshme. Nëse ia del Partizani do të ndeshet në turin e dytë të Conference League me Iberia 1999 (Gjeorgji).
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co