Pas Benjamin Netanyahut, i cili ka një sërë çështjesh të hapura penale, zyra e prokurorit publik të Izraelit urdhëroi që gruaja e tij Sarah, të hetohej.
Sipas informacioneve nga mediat izraelite, Sara Netanyahu akuzohet dhe pritet të hetohet nga autoritetet e vendit për pengim të drejtësisë, por edhe për tentativë për të ndikuar mbi dëshmitarët.
Sarah Netanyahu ka qenë në qendër të opinionit publik në Izrael javët e fundit pasi një emision investigativ i Channel 12 publikoi prova se Zonja e Parë e Izraelit u përpoq disa herë të bënte presion ndaj kundërshtarëve politikë të burrit të saj.
Po ashtu thuhet se ajo ishte edhe personi pas rrjedhjes së informacionit për sulmin që vrau Hassan Nasrallah disa muaj më parë në Bejrut.
Benjamin Netanyahu madje doli publikisht për këtë temë me një mesazh të regjistruar, në të cilin ai flet për një “luftë” që synon familjen e tij.
Pas transmetimit të emisionit disa ditë më parë, Sarah Netanyahu ka ngritur padi kundër emisionit për shpifje, por duket se provat e dala nga hetimi gazetaresk kanë mjaftuar që prokuroria e vendit të urdhërojë një hetim ndaj saj.