Një ish zyrtar i Bashkisë së Nju Jorkut është akuzuar të martën për përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët dhe shkatërrim të dëshmive që kanë lidhje me padinë për marrje ryshfeti kundër kryebashkiakut të qytetit, Eric Adams. Arrestimi i tij ndodhi ndërsa zyrtarë të tjerë me peshë vazhduan të lënë postet e tyre në Bashki. Prokurorët po vazhdojnë hetimin me dyshimin se kryebashkiaku është përfshirë në fshehjen e provave inkriminuese.
Mohamed Bahi, që dha dorëheqjen të hënën si zyrtari i Bashkisë për marrëdhëniet me komunitetin mysliman, akuzohet se inkurajoi një biznesmen që të gënjejë FBI-në. Zoti Bahi akuzohet se i tha atij të fshijë nga telefoni i tij një aplikacion për dërgimin e mesazheve ndërsa oficerët e FBI-së kishin arritur për të bastisur shtëpinë e tij.
Gjatë një konference për shtyp të martën, zoti Adams mohoi se i ka kërkuar dikujt që të gënjejë. “Asnjëherë nuk do t’i thoja dikujt që të bëj diçka të paligjshme”, tha ai.
Bahi, u arrestua të martën dhe pritet të dalë para gjykatësit në Manhattan.
Pas Adams, ai është i pari nga bashkia e Nju Jorkut ndaj të cilit ngritet akuzë.
Gjatë javëve të fundit, disa prej këshilltarëve kryesor të Adams kanë dhënë dorëheqje ndërsa Guvernatorja e shtetit Kathy Hochul vazhdon t’i bëjë trysni krybashkiakut të qytetit që të rikthejë stabilitetin në qeverinë e qytetit.
Një nga dorëheqjet që mori vëmendje më shumë është largimi i nënkryetares së parë të bashkisë, Sheena Wright. Adams e zëvendësoi atë me zonjën Maria Torres Springerin, të martën.
Sipas Adams detyra e parë e zonjës Torres-Springer do të jetë të kryejë një rishikim të menjëhershëm të personelit, programeve dhe politikave të bashkisë.
Adams tha se Wright, e cila dha dorëheqjen të hënën, iu ka shërbyer mirë nju jorkezëve duke punuar në administratën e tij.
Wright u largua një ditë pasi kryebashkiaku Adams konfirmoi largimin e Philip Banks nënkryetar i bashkisë për sigurinë publike dhe Winnie Greco, ish drejtoresha për çështjet aziatike.
Komisioner i policisë së Nju Jorkut, Edward Cuban dhe këshilltari i lartë i kryebashkiakut, Timothy Pearson, gjithashtu dhanë dorëheqje. Të gjithë zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje u janë konfiskuar pajisjet nga hetuesit federalë.
Të gjithë kanë mohuar keqbërjen.
Përmes një deklarate, prokurori federal Damian Williams tha se akuzat ndaj Bahit “nuk lejojnë asnjë mëdyshje se me sa seriozitet trajtohen përpjekjet për të ndërhyrë në një hetim federal, veçanërisht kur këto përpjekje vijnë nga një zytar i qeverisë”.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, demokrati Eric Adams është zotuar se nuk do të japë dorëheqjen pasi javën e kaluar deklaroi se është i pafajshëm lidhur me akuzat se ka pranuar kontribute të paligjshme për fushatën dhe udhëtime ndërkombëtare falas nga persona që donin që ai të përdorte ndikimin e tij në favor të tyre.
Guvernatorja demokrate e Nju Jorkut, Hochul e ka fuqinë që të largojë nga detyra zotin Adams. Ajo tha javën e kaluar se po punonte me zotin Adams për tu siguruar që në postet kyçe në bashki “të emërohen individë që do të jenë të përgjegjshëm”.
“Ne presim ndryshime, kjo nuk është një fshehtësi dhe këto ndryshime po fillojnë”, tha Hochul.
Sipas padisë penale ndaj zotit Bahi, ai organizoi një mbledhje fondesh për zotin Adams në selinë qendrore të një kompanie ndërtimi në dhjetor të vitit 2020. Sipas padisë, zoti Bahi kërkoi që pronari i kompanisë t’i nxiste punonjësit e tij të bënin donacione për fushatën zgjedhore të zotit Adams dhe më pas pronari t’u kthente pagesat prej 2,000 dollarësh punëtorëve të tij. Kjo shumë është e afërt me maksimumin e lejuar për çdo donacion individual në qytet.
Katër punonjës dhe pronari bënë donacione për fushatën. Pagesat e punëtorëve, sipas padisë, janë rimbursuar nga kompania. Të gjithë kanë folur më pas me organet e zbatimit të ligjit dhe pronari pranoi përfshirjen e tij në dhurimet e paligjshme të donacioneve, sipas prokurorëve.
Në padinë kundër tij, Adams akuzohet gjithashtu se ka pranuar me vetëdije donacione të paligjshme dhe ryshfete nga shtetasit turq.
Në një seancë dëgjimore javën e kaluar, zëvendës prokurori amerikan Hagan Scotten tha se prokurorët po ndjekin “disa hetime të tjera që kanë lidhje me rastin” dhe se “ka të ngjarë” të pandehur të tjerë të akuzohen dhe se është e “e mundur” të shtohen akuzat ndaj Adams./voa