Fenomeni i rrezikshëm nga “TikTok” i vetëlëndimit, pas Gjakovës ka prekur edhe komunën e Kamenicës në Kosovë. Të premten në këtë komunë nga Drejtoria e një shkolle të mesme të ulët janë raportuar rastet e para.
Lajmin pe ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, Policia e Kosovës, Stacioni Policor Kamenicë është njoftuar nga Drejtoria e një shkolle të mesme të ultë në fshatin Koretin, komuna e Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë veten, dyshohet shkak sfida në rrjetin sociale në Tik-Tok”, ka thënë Hashani.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Në këtë rast nuk raportohet për të lënduar. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që në lidhje me rastin të përpilohet një shënim zyrtar”, ka thënë Hashani.
Telegrafi ka provuar të kontaktoj edhe me drejtorin e DKA-së në Kamenicë, por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.
Kujtojmë se javën e kaluar në Gjakovë janë zbuluar rreth 20 raste të vetëlëndimit të nxënësve nga kjo sfidë e rrezikshme e “TikTok-ut”.
Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi tha se kanë ndaluar përdorimin e telefonave nëpër shkolla, si një preventivë për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të këtij fenomeni të rrezikshëm.
Ajo bëri të ditur se rastet kanë qenë kryesisht në shkollat e mesme të ulta, kryesisht të nxënëseve të klasave 6 deri 9.
Pas raportimeve për këto raste, ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, sot, më 10.10.2024, ministrja Nagavci u ka bërë thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.
“Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive. Bëj thirrje për të gjitha subjektet, prindër, mësimdhënës, psikologë, pedagogë, shërbime të tjera institucionale dhe të shoqërisë civile që të rrisim koordinimin më të mirë të ndërgjegjësimit të fëmijëve tanë dhe të rinjve për përdorimin e sigurt të internetit dhe shmangien e dhunës dhe dukurive të tjera negative”- ka deklaruar Nagavci.
Thirrje për kujdes me këtë rast ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se monitorimi dhe udhëzimi i prindërve është i rëndësishëm për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet që mund të fshihen në rrjetet sociale pas përmbajtjeve të papërshtatshme.
“Platformat si “Tik-Tok”, mund të kenë ndikim negativ ne vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Le të punojmë së bashku për t’i mbrojtur ata dhe për t’i ndihmuar të zhvillojnë njohuri të bollshme për përdorim efikas dhe të nevojshëm të teknologjisë, me fokus avancimin e tyre”- është shprehur Haxhiu.
Kujtojmë se edhe më 30.05.2024, ishin raportuar 17 raste të nxënëseve të shkollave fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë që i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në “Tiktok”.
Raste të ngjashme ishin raportuar edhe në komunën e Lipjanit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co