Trajneri Gareth Southgate udhëhoqi përfaqësuesen e “Tre Luanëve” në finalen e tyre të dytë radhazi të Europianit kundër Spanjës. Por kontingjenti i tij nuk arriti t’i japë fund pritjes 58-vjeçare të vendit për medalje kampioni, duke pësuar një humbje 2-1 ndaj iberikëve, në finalen e së dielës së kaluar në Berlin.
Sauthgejt është përballur me kritika të ashpra për paraqitjet e dobëta në fazën e grupeve, përpara se të lavdërohej mbi përmirësimin e skuadrës dhe zëvendësimet e tij të shkëlqyera në fitoren e gjysmëfinales, kundër Holandës të mërkurën e kaluar. Tani, tetë vjet dhe 102 ndeshje pasi pranoi vendin e punës, ai mund të ndahet me kombëtaren. Garet la të kuptohej se ai mund të tërhiqej pas turneut: “Unë mendoj se Anglia është në një pozitë vërtet të mirë për sa u përket përvojave që ka tani. Mosha e skuadrës? Shumica e këtij grupi do të jetë gati, jo vetëm për Kupën e Botës, por edhe për Euron e ardhshme. Ka shumë për të pritur, por ky moment nuk është ndonjë ngushëllim”, tha Sauthgejt.
Krerët e Federatës Angleze të Futbollit janë të dëshpëruar për ta mbajtur teknikun aktual, të paktën dy vjet të tjera, në mënyrë që ai të mund të drejtojë Anglinë deri në Kupën e Botës 2026. Anglezi ka këmbëngulur se nuk është momenti i duhur për të marrë vendimin final mbi të ardhmen. Fitimi i një trofeu të madh do të kishte qenë mënyra perfekte që Sauthgejt t’i japë fund në krye të Anglisë. Por kush mund ta zëvendësojë atë, nëse ai merr vendimin për t’u larguar? Epo “SunSport” ka gati shtatë kandidatë të mundshëm që mund ta zëvendësojnë shefin e “Tre Luanëve”.
GRAHAM POTER Poter ka qenë pa punë që kur u largua nga Çelsi në prill 2023. Ish-trajneri i Bluve është kontaktuar nga Lion, Ajaks dhe Lesitër para disa muajsh, por ka refuzuar çdo propozim. Dhe tani Majkëll Ouen e ka sugjeruar të jetë trajneri i ardhshëm i Anglisë. Ouen i tha “CSGOLuck”: “Nuk ka një kandidat të shquar për të marrë drejtimin nëse Sauthgejt largohet. Unë personalisht jam i mendimit se duhet t’i përmbahemi një trajneri anglez, kjo është ajo që ka të bëjë futbolli ndërkombëtar. Në fakt, unë do të shkoja aq larg sa të thosha se duhet të ketë një ndryshim rregulli. Ju po luani për vendin tuaj, lojtarët do të jenë nga ai vend. Në futbollin e klubeve ju mund të keni ndonjë lojtar apo trajner nga çdo vend, por mendoj se kur luani për vendin tuaj, duhet të jenë trajnerë skocezë dhe lojtarë skocezë. Kjo është çështja. E njëjta gjë me Francën. Nuk është një rregull, por unë do ta kisha atë parim dhe do të doja që Anglia të kishte një trajner anglez. Mendoj se ndoshta një teknikë i lirë dhe i disponueshëm është Graham Poter, i cili mund ti drejtojë denjësisht”, e mbylli Ouen.
EDI HAU Hau është gjithashtu një emër i lidhur rregullisht me “timonin” e Anglisë. Megjithatë, ai duket të jetë i lumtur në Njukasëll siç qëndrojnë gjërat. Por me bashkëpunëtorët Amanda Stavelei dhe Mehrdad Ghodousi të vendosur të largohen nga “St James’ Park”, ai potencialisht mund të ndryshojë mendje.
LI KARSLEI Ish-mesfushori irlandez aktualisht është trajneri i U21 te “Tre Luanët”. Ai e udhëhoqi ekipin e tij drejt titullit të Kampionatit Euopian U21 verën e kaluar, duke u bërë trajneri i parë i Anglisë që e bën këtë në atë nivel. Karslei më pas refuzoi një ofertë nga Republika e Irlandës për të qëndruar në pozicionin e tij. Por raportet tani thonë se FA (Federata Angleze e Futbollit) do ta konsiderojë atë si pasardhësin e Sauthgejt.
FRANK LAMPARD Geri Linejker foli pro legjendës së Çelsit për të marrë drejtimin javën e kaluar: “Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Unë mendoj se ai ka qenë pak i pafat në karrierën e tij menaxheriale në disa mënyra. Kampionati Europain në Gjermani do të jetë turneu i fundit i Garet, çfarëdo që të ndodhë. Por, unë nuk do ta shpërfillja Frank Lampard si zëvendësues i Sauthgejt. Unë mendoj se lojtarët do ta respektojnë atë menjëherë”, tha Linejker.
MAURICIO POTEÇINO Poçetino habiti tifozët kur u largua nga londinezët me pëlqim të ndërsjellë në maj. Tekniku 52-vjeçari kishte kaluar vetëm 11 muaj në “Stamford Bridge” dhe shijuar një fund premtues të sezonit 2023-24, por zyrtarët e klubit ranë dakord që një edicion në krye ishte i mjaftueshëm. Më pas u kuptua se ishte në linjë për të zëvendësuar Erik ten Hag në Mançester Junajtid, por “Djajtë e Kuq” i besuan holandezin. Mauricio tani mbetet i papunë, por ra dakord për një pagesë prej 10 milionë funtesh me Blutë muajin e kaluar, që do të thotë se ai mund të jetë në garë për postin e trajnerit te Anglia nëse do të vinte.
PEP GUARDIOLA Prononcimet vitin e kaluar sugjeruan se Federata kishte caktuar Guardiolën për të zëvendësuar Sauthgejt kur ai të largohej. Emërimi i spanjollit konsiderohet si një “ëndërr” nga disa drejtues në institucionin më të lartë në futbollin anglez. Megjithatë, ai ka ende një vit të mbetur në kontratën e tij me Mançester Sitin. Nëse Anglia është e përgatitur të prezantojë një shef të përkohshëm deri atëherë, Guardiola mund të jetë një kandidat ideal.
JURGEN KLOP Klop aktualisht po shijon pak kohë larg futbollit pas largimit të tij nga Liverpul. Ai dyshohet se hodhi poshtë një qasje nga ekipi kombëtar i SHBA-së në fillim të kësaj jave. Gjermani mund të joshet nga puna te Angli, pasi gëzon respekt të madh nga tifozë në Ishull, marrë në konsideratë eksperiencën te “Reds”-at për disa vite.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co