Shtatë emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi që erdhën në Shqipëri të premten do të kthehen sërish sonte në Itali, kjo pas vendimit të gjykatës së Romës, e cila vendosi pezullimin e ndalimit të tyre.
Mediat në Itali raportojnë se emigrantët do të transportohen drejt Brindisit me anijen e Rojes Bregdetare.
Më pas të 7 emigrantët do të transferohen në një qendër për azilkërkuesit në zonën e Pulias për t’iu nënshtruar procesit të zakonshëm të aplikimit.
“Logjistika e transferimit ishte organizuar në mënyrë adekuate paraprakisht. Një shenjë se autoritetet italiane ishin në pritje të lajmit”, shkruajnë mediat italiane.
Po sipas mediave në Romë bëhet e ditur se Ministria e Brendshme e Italisë, do të dalë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të mbështetur arsyet e saj pas vendimeve të gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që sot pezulluan vlefshmërinë e paraburgimit për 7 emigrantët e sjellë në Shqipëri të premten e kaluar.