Një ditë pas votimit në Parlament mes tensioneve, sot në ambientet e Presidencës do të bëhet edhe ceremonia e betimit të ministrave të rinj të qeverisë Rama.
Ministrat e rinj dhe kryetarja e re e Kuvendit u votuan dje mes kaosit në Kuvend. Seanca e jashtëzakonshme e thirrur ditën e djeshme nisi me tensione, pasi deputetë të opozitës krijuan zhurmë duke goditur tavolinat teksa kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi pikat e diskutimit.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi insistoi disa herë që të marrë fjalën për procedurë, por kërkesës së tij Nikolla iu përgjigj duke i thënë se ai është përjashtuar nga seanca.
Deputetët opozitarë bllokuan foltoren duke e bërë të pamundur që të bëhej votimi i fshehtë për Spiropalin. Edhe për këtë çështje, socialistët kishin marrë masa duke iu drejtuar votimit të fshehtë në mënyrë elektronike. Madje pas votimit, disa deputetë hodhën ujë dhe letra në drejtim të Kryeministrit Edi Rama.
Mes tensioneve, Kuvendi miratoi ndryshimet në qeveri. Ervin Hoxha u emërua ministër i Brendshëm me 76 vota pro. Petrit Malaj u emërua ministër i Financave me 77 vota pro. Pirro Vengu u emërua ministër i Mbrojtjes me 77 vota pro. Ndërsa Taulant Balla u emërua ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin me 78 vota pro.
Ndërkohë edhe Bledi Çuçi mori 77 vota pro për të zëvendësuar si nënkryetar i Kuvendit Ermonela Felajn. Gjatë miratimit të ministrave të rinj, pati debate në Parlament. Deputetë të opozitës bllokuan foltoren, pasi u refuzua kërkesa e tyre për 6 orë debat. Në krye të tyre qëndronte Gazment Bardhi, të cilin Lindita Nikolla edhe pse në seancën e fundit në drejtim të Kuvendit, e përjashtoi për shkak të sjelljes.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co