Bota Shqiperia

Pashk Përvathi dhe magjia e peizazhit bregdetar shqiptar!

pashk pervathi dhe magjia e peizazhit bregdetar shqiptar













































PH. D. OLTSEN GRIPSHI *OLTSEN GRIPSHI

Pashk Përvathi është një ndër piktorët më të njohur shqiptarë të zhanrit të peizazhit.

Ai ka trajtuar me mjeshtëri një larmi të jashtëzakonshme peizazhesh anembanë Shqipërisë, por kësaj radhe ai paraqitet përballë publikut në hapësirat e galerisë së tij “Galeri +”, me një përmasë tjetër, atë të një serie peizazhesh bregdetare, duke sjellë atmosferën e rivierës shqiptare me një ndjeshmëri të veçantë. Në veprat e tij, deti nuk është thjesht një element i natyrës, por një subjekt i gjallë, i cili përcjell emocione, ritme dhe larmi ndjesish.

Artisti Përvathi e pikturon detin përgjatë muajve të majit dhe qershorit, ku shkëlqimi i “atllastë” i sipërfaqes së ujit dhe gama ngjyrore janë në nivel sipëror. Deti për piktorin lezhjan nuk është thjeshtë e vetëm një lajtmotiv për të pasuruar krijimtarinë e tij, por sesa një prekje përtej ndjeshmërisë së ujit, duke na sjell ne, vëzhguesve thellësinë e tonaliteteve të blusë, nga ajo e kaltërt “hyjnore” deri në blu kobalt të horizonteve misterioze të detit Jon. Pa përjashtuar qetësinë dhe delikatesën e detit të Veriut të Shqipërisë, Adriatikun historishkrues për shoqërinë shqiptare pas ’90.

Ajo që vërehet në peizazhet detare është qasja e tij për t’u thelluar në hollësi nga më të imëtat në pikturimin e tejdukshmërisë së gurëve që ndodhen nën ujërat e kulluar të detit Jon dhe kllapitjen e madhështisë së horizontit të detit Adriatik mbi sipërfaqen e kanavacës.

Pashk Përvathi me të drejtë mund të konsiderohet si pasardhës i denjë i peizazhistit korçar Vangjush Mio, i cili i frymëzuar edhe nga piktura impresioniste e francezit Claude Monet, peizazhin nuk e sheh vetëm si subjekt, por një proces hulumtues gjithëpërfshirës, duke e pikturuar të njëjtin këndplan kompozicional disa herë në momente të ndryshme të dritës.

Kjo e shpien atë (ndonëse me një gjuhë stilistike “revolucionare dekorative” për pikturën shqiptare) të pikturojë me hollësi marrëdhënien që gurët nën ujë kanë me rrezatimin e dritës mbi sipërfaqen e detit. Gjeografia e peizazheve detare që Përvathi ka pikturuar shtrihen nga Shëngjini, Durrësi, Himara, Dhërmiu, Jonufri e deri në skajin më të poshtëm të rivierës bregdetare të Shqipërisë së Jugut.

Pashk Përvathi, si një nga piktorët më të shquar bashkëkohorë shqiptarë në zhanrin e peizazhit, falë ndjeshmërisë që mbart brenda vetes e ka ngritur detin në një nga simbolet kryesore të pikturës të tij, veçanërisht në pikturat e realizuara gjatë viteve të fundit. Muaji maj dhe qershor për të është periudha që përkon me momentin kur drita natyrore dhe pasqyrimi i saj në sipërfaqen e ujit krijojnë një virtuozitet drite dhe ngjyrash, të cilat piktori i kap me një ndjeshmëri të rrallë. Peizazhe detare që shpërfaqin të gjithë larminë e ditës, nga kithi i dritës së mëngjesit, në afshin përvëlues të mesditës e deri në perëndimin e lëngëzuar të diellit në horizontin e përgatitur për gjumin e natës me yje.

Deti për Përvathin nuk është thjesht një motiv piktorik, por një burim meditimi dhe hulumtimi artistik. Ai i afrohet detit, jo vetëm si peizazhist, por si një poet pamor që na fton të zbulojmë përmasat e tij të fshehta. Përmes një game të pasur koloristike, që lëviz nga e kaltërta “hyjnore” e qiejve deri te blutë e thella kobalte të horizonteve të Jonit, piktori arrin të krijojë një ndjesi të jashtëzakonshme hapësinore dhe mistike. Ngjyrat në pikturat e tij nuk janë thjesht të vendosura në mënyrë dekorative, por mbartin simbolikën dhe thellësinë e një marrëdhënieje të thellë mes njeriut dhe natyrës.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i veprës së Pashk Përvathit është mënyra se si ai shpërfaq dallimin mes dy deteve shqiptare: Jonit dhe Adriatikut. Në punimet e tij, Adriatiku shfaqet më i qetë, me tonalitete më të buta dhe reflektime delikate, duke pasqyruar natyrën më të ëmbël dhe të përmbajtur të këtij deti. Në të kundërt, Joni, me blutë e tij të thella dhe dramatike, paraqitet si një mister i hapur mes shkëmbinjve, një fushë e pashtershme frymëzimi për piktorin.

Ajo çka e veçon Pashk Përvathin nga shumë piktorë të tjerë është aftësia e tij për të kapur jo vetëm shtrirjen e gjerë të detit, por edhe thelbin e tij emocional dhe metafizik. Pikturat e tij nuk janë vetëm imazhe të një peizazhi, por porta të hapura për këdo drejt ndjesive, kujtimeve dhe reflektimeve të thella mbi ekzistencën dhe natyrën e qenies njerëzore.

Në këtë mënyrë, veprat e tij bëhen jo vetëm dëshmi e një mjeshtërie të lartë artistike, por edhe një urë mes shikuesit dhe një bote që ekziston përtej asaj që mund të kapet me sy të lirë, përtej perceptimit si nocion filozofik. Kjo e bën krijimtarinë e Pashk Përvathit të pavdekshme dhe të pandashme nga peizazhi shpirtëror i artit bashkëkohor shqiptar.

Në këtë këndvështrim është e rëndësishme të theksohen disa parametra karakterformues të individualitetit artistik të Pashk Përvathit si:

1. Ngjyrat dhe drita: Përvathi përdor një paletë të pasur ngjyrash, ku mbizotërojnë nuancat e kaltërta dhe të gjelbra, të ndërthurura me tonalitete të arta dhe të bardha që reflektojnë dritën e Mesdheut. Ai arrin të kapë ndryshimet atmosferike të detit, nga qetësia vezulluese e mëngjesit deri te dallgët e fuqishme të stuhive.

2. Kompozimi dhe perspektiva: Piktori shpesh vendos detin si protagonist të qendrës pamore, të përqendrimit të shikimit në një pikë fugimit larg në horizont. Ndërsa në sfond përfshin brigjet shkëmbore ose qiellin e hapur. Perspektiva e tij krijon thellësi dhe lëvizje, duke bërë që spektatori të ndjejë hapësirën dhe ritmin e ujit.

3. Dinamika e penelatave: Në disa vepra, penelatat e tij janë të buta dhe të lëmuara, duke sjellë një ndjesi qetësie dhe harmonie. Në të tjera, ai përdor goditje më të forta e të gjalla, të cilat pasqyrojnë vrullin e detit dhe ndjenjën e fuqisë së natyrës, gjë, e cila duket sikur e përpinë edhe vetë piktorin brenda saj.

4. Raporti me traditën dhe ndikimet: Përvathi gërsheton elemente të pikturës realiste dhe impresioniste, duke ndjekur traditën e mjeshtërve shqiptarë të peizazhit si Vangjush Mio, Zef Kolombi, Sadik Kaceli dhe Abdurrahim Buza, por njëkohësisht duke sjellë një qasje tërësisht të përditësuar, siç edhe kam quajtuar gjithmonë si “revolucionar dekorativ” par excellence i zhanrit të peizazhit në pikturën bashkëkohore shqiptare, ku ajo ai përçon është ekspresiviteti i psikoshpritërores emocionale.

Në përfundim peizazhet detare të Pashk Përvathit nuk janë vetëm përshkrime të natyrës, por edhe pasqyra të një bote të brendshme, ku përzihen nostalgjia, madhështia dhe përjetësia e detit. Përmes ngjyrave, dritës dhe gjuhës ekspresive-dekorative të tij, ai arrin të krijojë një lidhje emocionale mes spektatorit dhe hapësirës së pakufishme të detit.

Autori: Historian e kritik arti

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot botasot.co

Similar Posts