PD-ja, gati propozimin për votën e diasporës: Të votojnë jo vetëm rezidentët, por edhe emigrantët pa adresë të ligjshme

pd ja gati propozimin per voten e diaspores te votojne jo vetem rezidentet por edhe emigrantet pa adrese te ligjshme



































VALENTINA MADANI/ Demokratët kanë gati propozimin e tyre për votën e diasporës, dokument i cili pritet të depozitohet në Kuvend. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi bëri me dije se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është prioritet për opozitën, e cila ka adresuar edhe zgjidhjet në draftin e saj.

DIASPORA

“Besojmë që zgjidhja që kanë dhënë drejtuesit tanë është më mira dhe siguron votë për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit”, – deklaroi Bardhi.

Opozita kërkon që të drejtën e votës ta ushtrojnë të gjithë ata shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë, qofshin rezidentë apo jo. Demokratët kundërshtojnë kufizimin, që sipas tyre, mazhoranca i bën diasporës, duke vendosur si kusht pasjen e një adrese të ligjshme. Në propozimin e saj, opozita insiston që i gjithë procesi të kalojë përmes KQZ-së dhe vota t’i besohet një poste ndërkombëtare.

Ndërkohë, demokratët nuk kanë ende një vendim sa i përket çështjes së shpërndarjes së mandateve, teksa e cilësojnë një kusht të panegociueshëm rikthimin te marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se në fokus të këtyre propozimeve është mundësia që të gjithë emigrantët të votojnë, deklarojnë apo jo një adresë.

“Për ne, vota e diasporës është çështje prioritare. Ka gjithë mbështetjen e grupit parlamentar të PD dhe besojmë që zgjidhja që kanë propozuar përfaqësuesit tanë përmes draftit është zgjidhja më e mirë dhe garanton votën për çdo qytetar që jeton jashtë”, – tha Gazment Bardhi.

Krahas regjistrimit të emigrantëve, pa pasur nevojë për adresën e saktë të emigrantëve, PD kërkon që regjistri i emigrantëve të jetë i ndarë nga ai i zgjedhësve brenda vendit.

“Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date”, – thuhet në draft.

Ndryshe nga PS-ja, që po ashtu kërkon votë me postë, në propozimin zyrtar, PD kushtëzon votën e diasporës, me postë private.

“KQZ përzgjedh me procedurë të hapur një operator postar me eksperiencë dhe reputacion ndërkombëtar që siguron postë të shpejtë”, – thuhet në draft.

Ndërsa sa i takon numërimit të votave, PD kërkon njëjtë si PS të bëhen në KQZ dhe shpërndarja e votave sipas qarkut ku kanë jetuar. Një javë më parë, edhe Damian Gjiknuri dërgoi zyrtarisht në Kuvend projektligjin e selisë rozë për votën e emigrantëve. Gjithsesi, propozimet e PD-së e PSsë duhet të kenë një konsensus më të gjerë se pala propozuese, pasi për t’u miratuar duhen 84 vota, të cilat të vetme as maxhoranca dhe as opozita nuk i kanë. Po dje deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, deklaroi se ata nuk kanë besim te propozimi i PS-së për të votuar me postë. “Unë do të isha për votën diasporës, por të jetë në çdo qendër qyteti nëpër Itali, Greqi, atje ku ka më shumë shqiptarë, të votohej njësoj si në Shqipëri. Duhet gjetur një mundësi që të jetë realisht zgjidhje. Të shohim si do ta mendojmë propozimin tonë. Te posta shqiptare nuk kam besim. Çdo drejtues poste qenë numërues i PS-së”, – deklaroi deputeti demokrat.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →