Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, që u kryesua nga presidenca hungareze, në Budapest. Në fjalën e mirëseardhjes, Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristóf Szalay-Bobrovniczky vlerësoi kontributin e iniciativës së CEDC në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar se vendet e Evropës Qendrore e kanë në fokusin e tyre Ballkanin Perëndimor dhe për këtë ky rajon ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të iniciativës CEDC.
Nga ana e tij, Ministri Peleshi u shprehu mirënjohjen vendeve të CEDC për fokusin dhe vëmendjen që i kushtojnë Ballkanit Perëndimor, duke vënë theksin te përfshirja e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor e njëherësh duke vlerësuar maksimalisht përfshirjen e Kosovës në këtë nismë. Ministri i Mbrojtjes, Peleshi, rikonfirmoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes në çdo bashkëpunim rajonal/ndërkombëtar që ka si qëllim përballimin e sfidave të kohës, rritjen e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit.
Më tej Ministri Peleshi evidentoi sfidat, me të cilat po përballet rajoni ynë, që nga pasojat e luftës në Ukrainë, influencat e huaja me qëllim destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur veçanërisht situatën e tensionuar në veri të Kosovës pak kohë më parë. Ministri Peleshi theksoi se:, “Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, aq fort i promovuar dhe kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është e vetmja zgjidhje për moscenimin e integritetit dhe paqes në rajon”. Ministri Peleshi theksoi se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë do të vijojë të jetë një nga kontribuueset më të mëdha të bashkëpunimit rajonal, të promovimit të fqinjësisë së mirë, të mbështetjes së parimit të pranimit të njëri-tjetrit dhe gjithëpërfshirjes, të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Gjatë këtij takimi u prezantuan dhe prioritetet si dhe kalendari i aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë kryesimit hungarez të CEDC. Iniciativa CEDC, por dhe formati në kuadër të saj dedikuar Ballkanit Perëndimor ka forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin midis shteteve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co