Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën se kur do të mbahet seanca e parë ndaj kërkesës së Pëllumb Gjokës, i cili kërkon pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në ‘Sky’ dhe ‘EncroChat’.
Gazetarja e News24, Klodiana Lala, raporton se padia e Pëllumb Gjokës për SKY ECC, do të shqyrtohet në 19 dhjetor.
Pëllumb Gjoka, i shpallur investitor strategjik, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas refuzimit të Gjykatës së Lartë për t’i rrëzuar si prova bisedat nga Sky ECC, që kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve.
Gjoka kërkoi gjithashtu edhe shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj tij.
SPAK nga ana tjetër kërkon që Kushtetuesja ta rrëzojë ankimin, duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme.
Gjoka u arrestua gjatë një operacioni të urdhëruar nga SPAK, ndërsa bashkë me të u arrestuan edhe Oltion Bistri, ish-zyrtar i lartë i policisë, ish-prokurori Xhevahir Lita, dhe të tjerë personazhe, bisedat e të cilëve u zbuluan nga aplikacioni SKY.