Pengu i shpëtuar të martën nga ushtria izraelite nga një tunel nëntokësor në Gaza, Kaid Farhan Elkadi, ka rrëfyer për përjetimet e tij gjatë dhjetë muajve se ishte mbajtur nga Hamasi.
Elkadi i cili është një arab beduin, ka thënë se një nga shokët e tij të burgosur vdiq pranë tij gjatë kohës që ishte në robëri, ka bërë të ditur një ish-zyrtar izraelit.
Elkadi u shpëtua në një “operacion kompleks në Rripin jugor të Gazës”, ka bërë të ditur ushtria izraelite.
Ai nuk ka folur ende publikisht, por ish-kryebashkiaku i një qyteti jugor izraelit ka thënë se 52-vjeçari nuk ishte ekspozuar ndaj rrezeve të diellit për tetë muaj.
Kushëriri i tij ka thënë gjithashtu se Elkadi nuk u trajtua ndryshe në robëri, pavarësisht se ishte mysliman.
Elkadi u rrëmbye nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael dhe është pengu i tetë i shpëtuar nga forcat izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza.
Babai i 11 fëmijëve ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spital, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve.
“Elkadi u ka folur të afërmve të tij për ditë të vështira dhe një robëri shumë mizore”, ka thënë për gazetën izraelite “Haaretz”, Ata Abu Medigam, ish-kryebashkiak i qytetit jugor izraelit, Rahat.
“Ai ka folur për një nga pengjet që u mbajt rob me të për dy muaj dhe vdiq pranë tij”, ka shtuar Medigam.
Elkadi gjithashtu kishte filluar të shqetësohej për humbjen e shikimit, sipas Medigam.
“Ai i kishte kontrolluar sytë e tij për të parë nëse ata ishin ende duke punuar dhe funksionuar, ai kishte vendosur gishtat në sytë e tij për të kontrolluar reflekset e tij”, është shprehur Medigam.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur të martën se forcat e kishin gjetur Elkadin në një tunel “kur ai ishte vetëm”.
Kushëriri i tij, Fadi Abu Sahiban, ka thënë se Elkadi nuk mori trajtim preferencial për shkak të të qenit mysliman.
“Ata nuk i bënë lëshime edhe pse ai është mysliman. Ai thotë se e lanë të falet, kjo është e vetmja gjë që e lejuan të bëjë”, është shprehur Sahiban për “Haaretz”.
Elkadi nuk kishte asnjë mënyrë për të komunikuar me botën e jashtme dhe ishte në frikë të vazhdueshme nga bombat.
Elkadi, gjyshi i një fëmije, është nga një fshat beduin në zonën Rahat të shkretëtirës së Negevit.
Ai punoi për shumë vjet si roje sigurie në Kibbutz Magen, afër kufirit Izrael-Gaza, ku u rrëmbye 10 muaj më parë.
Ndërmjetësuesit amerikanë, egjiptianë dhe të Katarit po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje armëpushimi në Gaza që do të bënte që Hamasi të lironte 104 pengjet që ende mbahen, duke përfshirë 34 të cilët supozohen të vdekur, në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Bisedimet indirekte kanë vazhduar në Kajro ditët e fundit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të një përparimi mbi pikat kyçe të pengesave. Ato përfshijnë kërkesën e Netanyahut që Izraeli të mbajë trupa përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, të cilën Hamasi e ka refuzuar.
Dy arabët beduinë të tjerë, Yousef Zyadna dhe djali i tij, Hamza, janë ndër pengjet e mbetura që janë ende gjallë, ndërsa trupi i një të treti, Mhamad el-Atrash, ende mbahet nga Hamasi.
Një tjetër beduin, Hisham al-Sayed, është mbajtur rob në Gaza që nga viti 2015.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co